• e enjte, 26 dhjetor 2024

Trajanov: Do të mbështesim Qeveri nëse respektohet Amendamenti 6 i Kushtetutës

Trajanov: Do të mbështesim Qeveri nëse respektohet Amendamenti 6 i Kushtetutës

Shkup, 23 janar 2023 (MIA) – Në Klubin e deputetëve sonte ka vijuar një takim i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me liderët e partnerëve të koalicionit të LSDM-së. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov në deklaratën për mediat para fillimit të takimit tha se beson se në takim përveç për prioritetet e koalicionit qeveritar me kryetarin e Qeverisë Kovaçevski, do të bisedohet edhe për hyrjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri.

Ai më pas e përsëriti qëndrimin partiak rreth zgjerimit të mundshëm të shumicës parlamentare, se do të mbështesin rikonstruimin e Qeverisë vetëm nëse sigurohet përfaqësim përkatës dhe adekuat i të gjitha bashkësive etnike, që është, thotë në pajtim me Kushtetutën dhe Amendamentin 6.

“Pra përfaqësim adekuat dhe i drejtë i të gjitha bashkësive etnike në qeveri dhe në institucionet e tjera. Unë i qëndroj këtij parimi. Dhe nëse kësisoj komponohet qeveria e re apo qeveria e rikonstruuar unë do ta mbështes. Në të kundërt, ne si parti nuk jemi gati të pranojmë shantazhe. Partia që ka probleme me grupin parlamentar duhet ta paguajë çmimin. Tani BDI-ja i ka gjashtë pozita ministrore. Nëse duan një partner të ri, atëherë duhet të heqin dorë nga dy vende. Kjo do të ishte mirë. Por në përgjithësi mendoj se përfaqësimi adekuat nënkupton diku midis pesë dhe gjashtë posteve ministrore. Meqë jemi të ndarë në këtë mënyrë, kështu është konceptuar në Kushtetutë për përfaqësim adekuat të bashkësive etnike, kështu duhet të zbatohet në praktikë”, thotë Trajanov.

Sipas tij, nëse nuk respektohet parimi, nuk respektohet Badenteri, nuk mundet shteti të funksionojë dhe institucionet me të gjithë kapacitetin e tyre, ndërsa, thotë, kemi një numër të madh ministrish që absolutisht nuk u përgjigjen detyrave.

“Absolutisht nuk e kam aspak problem se kush do të jetë ministër, nëse është maqedonas, shqiptar, turk, serb, por ndarja që është e përkufizuar sipas Marrëveshjes së Ohrit duhet të respektohet. Në të kundërt nëse tani bëhet precedencë, pas një kohe mbase një parti tjetër do t’i ketë 61,62. Partitë shqiptare atëherë a do të kërkonin të respektohet Marrëveshja e Ohrit ose do të thoshin mirë tani një parti tjetër ka shumicë le ta drejtojë, le ta udhëheqë shtetin. Mendoj se një gjë e tillë vështirë se do të ndodhte. Prandaj nëse i respektojmë parimet dalë-ngadalë do ta ndërtojmë shtetin. Në të kundërt do të vijmë drejt pazareve për numrat gjë që aspak nuk është në funksion të hapjes së perspektivave të Maqedonisë”, thotë Trajanov.

Pyetjes nëse pajtohen që Aleanca për Shqiptarët ta marrë Ministrinë e Drejtësisë, Trajanov tha se nuk është në rrjedhë me këtë, por edhe njëherë e përsëriti se insistojnë respektimin e parimeve dhe të Kushtetutës.

“Nuk jam kundër. Unë jam që parimet të mbizotërojnë në shtet. Absolutisht mua nuk më pengon as Aleanca. Me siguri, edhe atje ka kuadro të mira, por duhet të respektohen parimet të cilat janë të vendosura në shtet. Në të kundërt, siç thashë, do të ketë pasoja. Precedenca mund të shkaktojë pasoja të reja në periudhën e mëtejme”, porositi kryetari i LD-së.

Paraprakisht, sonte në selinë e LSDM-së u mbajt edhe një takim me partnerët e koalicionit, në të cilën nuk mori pjesë Kovaçevski. Në këtë takim, të cilën e udhëhoqi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Mile Zeçeviq, Trajanov tha se është folur për prioritetet, por edhe rreth zgjidhjeve kadrovike. LD, tha ai, angazhihet që të ndërtohet një strategji, të mos ketë punësime partiake, por të ketë kritere të forta, të pastra dhe të punësohen kuadrot më të afta dhe jo sikurse deri më tani vetëm ushtarë partiakë, që të parandalohen profesionistë të lartë të largohen jashtë shtetit.

QËNDRONI TË LIDHUR