• e enjte, 26 dhjetor 2024

Trajçuleski: Arratisja e Blerim Ramadanit është organizuar nga strukturat e MPB-së dhe punonjës të institucioneve

Trajçuleski: Arratisja e Blerim Ramadanit është organizuar nga strukturat e MPB-së dhe punonjës të institucioneve

Shkup, 22 gusht 2024 (MIA) - Deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçuleski sot në konferencën për media akuzoi se arratisja e Blerim Ramadanit është organizuar nga strukturat e MPB-së dhe punonjës të institucioneve dhe i bëri thirrje qeverisë dhe MPB-së që të publikojnë se kush e ka organizuar dhe mundësuar arratisjen. Trajçuleski tha se nëse qeveria dhe MPB-ja në 24 orët e ardhshme nuk zbardhin publikisht të vërtetën për të gjithë organizimin e arratisjes së Ramadanit, LSDM-ja do t'i publikojë të gjitha informatat nga informatori që kanë marrë.

"Pas të gjitha informacioneve që kemi e qartë është se qeveria dhe MPB e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe heshtin. Sot po i kërkojmë Toshkovskit, VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it dhe po u japim mundësinë që vetë të dalin publikisht me faktet dhe më pas të nisin procesin e hetimeve dhe dorëheqjet nga të gjithë të përfshirët në skandalin me arratisjen e Blerim Ramadanit", deklaroi Trajçuleski.

Kërkon nga autoritetet të përgjigjen nëse është e vërtetë që Ramadani me 10 dhe 14 gusht lirshëm e ka kaluar  kufirin me Kosovën.

"A është e vërtetë se më 10 gusht rreth orës 18:40, Ramadani me automjet pa u ndalur në kufi është dërguar në Kosovë dhe më vonë është kthyer në arrest shtëpiak në Maqedoni? Kujtojmë se kemi detaje rreth çdo gënjeshtre të qeverisë dhe institucioneve në lidhje me këtë vepër penale. Më tutje, pyesim, a është e vërtetë që më 14 gusht, gjegjësisht ditën kur Ramadani është arratisur, ai ka lëshuar shtetin me veturën zyrtare të një institucioni shtetëror i drejtuar nga një person i punësuar në institucione dhe sërish është lëshuar në vendkalimin kufitar pa asnjë kontroll", tha Trajçuleski.

Sipas Trajçuleskit, MPB-ja duhet të përgjigjet nëse bëhet fjalë për siç tha "skemë të organizuar policore partiake" dhe "lirim i organizuar i të burgosurve në Kosovë në të cilin kanë marrë pjesë institucionet e Maqedonisë së Veiut.

"E pyesim Toshkovskin, a është e mundur që një person i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar të shëtis ndërmjet kufirit dy herë përderisa de fakto është në paraburgim i cili duhet të sigurohet nga MPB-ja? Cili është roli i MPB-së që mundësoi shëtitjen e Ramadanit pa pengesë dhe largimin përfundimtar të tij nga shteti", deklaroi Trajçuleski.

Blerim Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit të lëshuar nga Serbia është arrestuar më 17 korrik të këtij viti në pikën kufitare Jazhincë dhe është dërguar në 30 ditë paraburgim ekstradues në burgun e Shutkës. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani si ish-ushtar i UÇK-së, ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes.

Më 1 gusht , masa e Ramadanit nga gjykata kompetente e Maqedonisë së Veriut ka ndryshuar dënimin nga "paraburgim" në "arrest shtëpiak" dhe sipas vendimit ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte parashikuar që ai të qëndronte në "arrest shtëpiak" deri më 16 gusht. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR