• e enjte, 26 mars 2026

Toshkovski: "Zero korrupsion në polici" - promovohet Plani për Integritet Profesional 2026-2028

Toshkovski:

Shkup, 25 mars 2026 (MIA) - Plani për Integritet Profesional 2026–2028 është instrument i rëndësishëm në përpjekjet tona për çrrënjosjen e korrupsionit. Qëllimi ynë është i qartë – zero korrupsion në polici, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski gjatë promovimit të “Planit për Integritet Profesional 2026–2028" në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i përgatitur në programit të DCAF për reforma në sektorin e inteligjencës dhe sigurisë 2021–2026. 

Plani përcakton prioritetet strategjike, detyrimet institucionale dhe masat konkrete për të përmirësuar integritetin, transparencën dhe përgjegjësinë në veprimtarinë policore. 

Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se integriteti është themeli i shërbimit policor modern dhe profesional, duke theksuar se vlerat e tilla si ndershmëria, besimi, drejtësia dhe llogaridhënia janë thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve.

"Integriteti është baza mbi të cilën ndërtohet besimi i qytetarëve. Ndershmëria, drejtësia, përgjegjësia dhe transparenca nuk janë vetëm fjalë; ato janë vlera që duhet t’i praktikojmë në mënyrë të qëndrueshme nëse duam të forcojmë vërtet sundimin e ligjit", theksoi Toshkovski. 

Ai potencoi se dokumenti i ri, së bashku me Planin e Veprimit, përfaqëson një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm të një force policore demokratike, transparente dhe të përgjegjshme, në përputhje me standardet evropiane dhe parimet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. 

Ai potencoi se Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Qeverinë, po punon vazhdimisht për të përmirësuar mekanizmat për parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin e korrupsionit, si dhe për të forcuar kompetencat profesionale të nëpunësve policorë përmes trajnimit dhe zhvillimit të standardeve etike.

Njëherësh, Toshkovski shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, si dhe për Zvicrën, Suedinë dhe Holandën, si dhe për DCAF-in dhe ekipin e projektit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në zbatimin e reformave të sektorit të sigurisë. rq/

Foto: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR