• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Toshkovski për aksionin e djeshëm: Bëhet fjalë për krime epike në dëm të buxhetit

Toshkovski për aksionin e djeshëm: Bëhet fjalë për krime epike në dëm të buxhetit

Ohër, 13 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot informoi se pas bastisjeve të djeshme në firma në Strumicë, Shkup dhe Gostivar janë arrestuar katër persona për evazion fiskal, mashtrim tatimor dhe pastrim parash.

"Kjo është një nga lëndët për të cilën mundem lirshëm të them se ka dyshime fillestare se bëhet fjalë për një krim epik, i cili ka dëmtuar buxhetin e Maqedonisë së Veriut, respektivisht janë dëmtuar paratë e qytetarëve. Informacionet fillestare tregojnë se bëhet fjalë për shuma milionëshe të cilat janë si pasojë e disa veprave kriminale të kryera, fshehje tatimesh, mashtrim tatimor dhe pastrim parash. Për shkak të procedurës parahetimore, nuk mund të jap detaje më të hollësishme, pasi që e dini se unë në parim respektoj deri në  maksimum prezumimin e pafajësisë",deklaroi Toshkovski në Ohër, ku hapi lojërat e 22-ta sportive sindikale të organizuara nga Sindikata e Policisë së Maqedonisë. 

Aksioni i djeshëm është kryer në më shumë se dhjetë lokacione në territorin e vendit. Janë ndërmarrë veprime në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, si dhe së bashku me institucione të tjera shtetërore si DAP, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Doganave. rq/fc/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR