Toshkovski: Dy raste serioze shënuan natën e Vitit të Ri, situata e sigurisë stabile
- Nata e Vitit të Ri kaloi kryesisht qetë, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:50, 1 janar, 2026
Shkup, 1 janar 2026 (MIA) - Nata e Vitit të Ri kaloi kryesisht qetë, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.
Në një deklaratë për mediat gjatë një vizite pune në Stacionin Policor Qendër (Beko), informoi se kanë ndodhur dy incidente serioze - vrasja e një shtetasi turk me thikë në Çarshinë e Shkupit dhe rasti i një fëmije dyvjeçar të plagosur rëndë, për momentin i panjohur, i cili është në gjendje kërcënuese për jetën në Qendrën Klinike.
"Shtatë persona janë lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike, ndërsa një person është vetëlënduarme pushkë gjuetie në territorin SPB në Manastir. Gjatë gjithë periudhës së djeshme janë regjistruar 31 vepra penale dhe 23 aksidente komunikacioni, dy prej të cilave rezultuan me lëndime të rënda trupore. Janë arrestuar gjithsej 49 persona për arsye të ndryshme, kryesisht në lidhje me trafikim të paligjshëm droge dhe shkelje të rendit dhe qetësisë publike", tha Toshkovski.
Situata e sigurisë në territorin e të gjithë vendit, tha ai, ishte e qëndrueshme dhe për këtë qëllim kishte një prani të shtuar policore në terren dhe u morën masa të koordinuara të synuara për të ruajtur një situatë të favorshme sigurie.
Foto/video: MIA