• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Toshkovski: Do të ketë raste interesante për publikun lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë

Toshkovski: Do të ketë raste interesante për publikun lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë

Shkup, 5 nëntor 2024 (MIA) - Në të ardhmen do të ketë mjaft raste interesante për opinionin lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë. Supozoj se do të pasojnë një numër i madh i rasteve të cilat janë të lidhura me materialin dëshmues të ofruar nga Aplikacioni Skaj të cilin na e kanë dhënë partnerët tanë ndërkombëtarë, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Ai tha se ekzistojnë një numër i madh i dëshmive në kuadër të materialit të mbledhur dëshmues përmes këtij aplikacioni i cili analizohet nga ana e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

"Bëhet fjalë për një numër të madh provash që lidhen me krime specifike. Ky rast konkret ka të bëjë me dy punonjës policie gjatë periudhës kur kanë kryer krimet për të cilat akuzohen. Sot ata nuk janë më policë", tha Toshkovski në pyetjen e gazetarit nëse hetimi për rrjedhjen e informacioneve nga MPB për klanin Gërçec do të shtrihet edhe tek punonjësit e tjerë.

Ai theksoi se në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit nuk janë diskutuar 500 certifikatat e paraqitura nga ministrat aktualë dhe ish ministra, për të cilat tha dje se do të kontrollohen. Ai nuk ka dashur të specifikojë se për çfarë lloj kontrollesh bëhet fjalë.

"Për momentin, mendoj se mjafton ajo që thashë dje", tha Toshkovski dhe shtoi se do të kontrollohen vërtetimet e të gjithë zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm që dihet se kanë dhënë të dhëna të gabuara.

I pyetur nëse certifikatat kanë të bëjnë me sigurinë e shtetit, ai tha se në seancën e Këshillit të Sigurimit nuk është diskutuar si temë që ka të bëjë me kompetencën e Këshillit.

"Kemi diskutuar për ato çështje që janë në kompetencë të Këshillit të Sigurimit", tha Toshkovski dhe tregoi se nuk ka çfarë të shtojë në kumtesën që është dërguar në media pas seancës së djeshme. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR