• e shtunë, 23 nëntor 2024

Toshkovski: Dje janë arrestuar dy të dyshuar për incidentin në Haraçinë

Toshkovski: Dje janë arrestuar dy të dyshuar për incidentin në Haraçinë

Shkup, 3 prill, 2024 (MIA) - Ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot në konferencën për media, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, konfirmoi se dje janë arrestuar dy të dyshuar të cilët supozohet se kanë lidhje me incidentin në Haraçinë.

"Fatkeqësisht, nga ana e disa funksionarëve politikë brenda këtij vendi po demantohen gjëra që nuk janë thënë as nga unë, as nga ekipi im as nga ana e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme. Dje u tha se disa persona të dyshuar janë arrestuar lidhur me incicdentin. Është shumë e rëndësishme që gjatë dhënies së informacioneve në opinion të shfrytëzohen pohime të sakta", theksoi Toshkovski.

Ai shtoi se në kuadër të aktiviteteve operative të ndërmarra nga Shërbimet në MPB-së është konstatuar se njëri nga personat në fjalë të cilët janë ndaluar është në kërkim me urdhërarrest. Kjo, siç ka thënë ai, është bërë e ditur gjatë ditës së djeshme dhe e njëjta do të procedohet si e tillë në përputhje me ligjin.

"Nuk do të doja të flisja në detaje që mund të rrezikojnë çdo lloj hetimi dhe jam shumë i kujdesshëm se cilat pohime dhe cilat terma përdor dhe kërkoj të njëjtën gjë të bëjnë të gjitha autoritetet brenda të gjitha institucioneve që japin informacione për publikun. Apeloj që të veprohet konform me udhëzimet e Prokurorisë publike, gjegjësisht të kemi kujdes se çfarë thuhet në opinion, e gjithë kjo në mënyrë që të mos dëmtohet hetimi", tha Toshkovski.

Më herët, PTHP Shkup, në lidhje me të shtënat me armë zjarri ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës Ridvan Ibraimi në të cilin mbetën të plagosur dy persona që ishin me kryetarin, informuan se prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike ka kryer mbikëqyrje në vendin e ngjarjes dhe ka dhënë urdhër për mbledhjen e gjurmëve dhe kryerjen e ekspertizës përkatëse.

Nga Prokuroria shtuan se do të jepet urdhër për sigurimin e pamjeve të objekteve përreth si dhe ndërmarrjen e aktiviteteve të tjera. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR