• e shtunë, 23 nëntor 2024

Toshkovski – Sveçla: Qëllimi është që qytetarët të kalojnë kufijtë më lehtë dhe luftë më e suksesshme kundër krimit të organizuar

Toshkovski – Sveçla: Qëllimi është që qytetarët të kalojnë kufijtë më lehtë dhe luftë më e suksesshme kundër krimit të organizuar

Shkup, 31 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka realizuar sot takim me homologun e tij nga Kosova, Xhelal Sveçla, ku u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Intenca e dy ministrave, siç u theksua pas takimit të sotëm është që qytetarët të kalojnë më lehtë kufijtë dhe njëherësh luftë më të suksesshme kundër krimit të organizuar.

Toshkovski shfaqi shpresën se bashkëpunimi do të përmirësohet në të ardhmen dhe do të fokusohen në një rajon më të sigurt.

"Bashkë konstatuam se qytetarët tanë, veçanërisht gjatë periudhës së verës i përdorin më shpesh vendkalimet kufitare dhe jemi të obliguar që si politikanë të përgjegjshëm, të bëjmë gjithçka që është e mundur, vendkalimet kufitare që kemi mes Maqedonisë dhe Kosovës t'i thjeshtojmë në mënyrë maksimale. Njëkohësisht të bëhet kompromis mes kontrolleve të duhura të sigurisë që duhet të kryhen dhe sigurisht që ai duhet të jetë sa më i shpejtë, gjithçka në mënyrë që qytetarët tanë të kenë mundësi të përdorin vendkalimet kufitare sa më shpejt të jetë e mundur", ka thënë Toshkovski.

Është konstatuar se në periudhën e ardhshme duhet të fokusohen veçanërisht në luftën kundër krimit transnacional dhe krimit të organizuar.

"Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar, gjithmonë konstatojmë se kriminelët nuk kanë problem të komunikojnë maksimalisht dhe t'i ndërmarrin të gjitha veprimet e tyre në mënyrë sa më efikase në kuadër të punës së tyre, prandaj ne si MPB, gjithashtu duhet të përgjigjemi maksimalisht. Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ndërpolicor, politika nuk duhet të ketë asnjë ndikim, në nivel profesional duhet t'u përgjigjemi të gjitha sfidave. Pra, bashkëpunimi ynë mund të thellohet vetëm në këtë pjesë, për t'i forcuar marrëdhëniet tona të mira ekzistuese, me qëllim të kemi rezultate edhe më të mira", tha Toshkovski.

Që të dy kanë biseduar edhe për realizimin e trajnimeve, mbështetjen në një pjesë të trajnimeve të simuluara që duhet të rrisin kapacitetet profesionale të punonjësve brenda ministrive.

Sveçla pas takimit deklaroi se të dyja palët janë pajtuar se ka potencial për bashkëpunim edhe më të madh.

"Nëse dy ministritë dhe dy qeveritë jemi zotuar se do të kemi zero tolerancë ndaj krimit, kjo nënkupton, nëse ky është angazhimi ynë, që ne si qeveri, si ministri, por edhe qeveritë dhe ministritë e tjera në rajon, t’i zbatojmë në vepër. Të dyja palët ramë dakord se ka potencial, ka hapësirë ​​për bashkëpunim edhe më të madh. Gjithmonë luftë kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me njerëz. Por bashkëpunimi ynë do të jetë edhe në drejtim të së mirës së qytetarëve të të dy vendeve. Siç theksoi ministri, qëllimi ynë është që qytetarët tanë të kalojnë më lehtë kufijtë tanë. Përveç kësaj, ne duam që të kemi një luftë më të suksesshme kundër krimit të organizuar", ka qenë decid ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR