• e enjte, 26 dhjetor 2024

Thyerja e stereotipeve për vendin e gruas po shkon ngadalë, por pa luftë nuk ka sukses dhe pa sukses përparim, thotë Avokati i Popullit

Thyerja e stereotipeve për vendin e gruas po shkon ngadalë, por pa luftë nuk ka sukses dhe pa sukses përparim, thotë Avokati i Popullit

Shkup, 8 mars 2023 (MIA) - Sot, kur festojmë guximin e grave që më shumë se 100 vjet më parë vendosën të fillojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, duke e konsideruar veten të barabartë me burrat dhe 46 vjet pasi 8 Marsi u shpall zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si avokat i popullit, unë kam një mesazh të thjeshtë - Vazhdoni të luftoni për të drejtat tuaja në të gjitha segmentet e jetës shoqërore. Pa luftë nuk ka sukses, e pa sukses përparim, thuhet në urimin e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas - 8 Marsit.

"Të gjitha përpjekjet për barazi, mundësi të barabarta për arsim, akses në shëndetësi dhe të gjitha shërbimet e tjera, vlerësim të barabartë të punës, punësimit, përfshirjes në politikë duhet të mbështeten pa rezerva, sepse vetëm kështu do të dëshmojmë se të gjithë jemi për barazi të vërtetë", theksohet në mesazhin e avokatit të popullit Naser Ziberi.

Konventat dhe deklaratat e ratifikuara - Deklarata e Pekinit, Platforma për Veprim, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa e Stambollit - Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, shtohet më tej në urim, na obligojnë që të punojmë në reduktimin e dallimeve në shoqëri, por edhe të thyejmë stereotipet se ku përket gruaja, të eliminojmë dhunën në familje në të cilën ajo fatkeqësisht është viktima më e zakonshme, të luftojmë kundër gjuhës së urrejtjes dhe të gjitha atyre mesazheve seksiste që i drejtohen asaj.

Shoqëritë në të cilat gratë përfshihen në të gjitha segmentet e jetës janë më të fuqishme dhe më prosperitare. Ndryshimi i mendimit se disa profesione janë vetëm për femra, ose vetëm për meshkuj shkon në drejtim të arritjes së barazisë së plotë.

"Republika e Maqedonisë së Veriut në vitet e fundit ka bërë përpjekje të fuqishme drejt barazimit të grave dhe burrave në pothuajse të gjitha sferat - politika përmes përfshirjes më të madhe në Parlament, në ekzekutiv, në pushtetin lokal etj. Por megjithatë  sipas hulumtimit të Avokatit të Popullit për përfaqësimin gjinor në sektorin publik dhe të dhënave të marra, konkludojmë se ende përparësi u jepet meshkujve pothuajse në të gjitha segmentet, përfshirë pjesëmarrjen në strukturat drejtuese, edhe pse është vërejtur pak progres në krahasim me vitet e mëparshme. Ka ende shumë për të bërë në këtë fushë dhe hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm është miratimi i dokumenteve strategjike në çdo institucion që do të synojë uljen e mospërputhjes gjinore.

Reformat në sferën e familjes, gjegjësisht kujdesin në familje, të cilat në të ardhmen do t'u mundësojnë grave që të mungojnë më pak në punë, duke i dhënë mundësinë babait të marrë pjesë në kujdesin dhe edukimin e fëmijës duke marrë leje prindërore, janë për t'u përshëndetur, segment i cili deri më tani, thekson Avokati i Popullit, ishte i rezervuar vetëm për nënën.

Por, ajo që si mbrojtës të të drejtave të njeriut duhet të na brengosë, shtohet, është fakti se ende ka vende në të cilat gratë nuk i gëzojnë as të drejtat themelore, vende ku të njëjtat u janë kufizuar, që automatikisht i vë në një pozitë të pabarabartë dhe ua vështirëson jetën.

"Ndarja e asaj që quhet punë e grave dhe burrave, për fat të keq, ende është e pranishme në një numër të madh të shoqërive, kështu që vendi i gruas më së shumti shihet në shtëpi si nënë dhe amvise. Thyerja e stereotipeve po shkon ngadalë, por siç thashë edhe në fillim askush nuk duhet të heqë dorë nga lufta për barazi. Zgjedhja e grave për kryetare të qeverive, ose shteteve nuk duhet të trajtohet  si diçka e rrallë por në atë të shikohet  si në një punë normale, sepse  të gjithë lindim të barabartë dhe si të tillë duhet ta jetojmë jetën", porositi avokati i popullit.  sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR