• e enjte, 26 dhjetor 2024

Tearca e Tetovës shembull i bashkëjetesës dhe përmirësimit të jetës në fshat

Tearca e Tetovës shembull i bashkëjetesës dhe përmirësimit të jetës në fshat
Tetovë, 30 prill 2021 (MIA) - Tearca e Tetovës është vend ku jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë dhe romë, kështu që e tillë shumetnike është edhe përbërja e bashkësisë lokale që përmes unitetit, bashkëpunimit dhe ndihmës përpiqet të përmirësojë kushtet e jetesës në këtë vend, e njëherësh të avancojnë tolerancën dhe bashkëjetesën ndëretnike. Përbërja aktuale e bashkësisë lokale, që funksionon nga korriku i vitit 2020, numëron 11 anëtarë dhe ka përfaqësues nga të gjitha bashkësitë. "Bashkësinë lokale e kemi formuar në atë mënyrë që përveçse nga të gjitha nacionalitetet, të kemi nga një përfaqësues nga të gjitha mëhallat. Në këtë mënyrë do të dimë në secilën mëhallë se cilat janë problemet dhe si ne nga bashkësia lokale do mund të bëjmë diçka. Secili përfaqësues i mëhallës i njeh situatat në mjedisin e tij dhe njihet kryesisht me të gjithë dhe mund t'i transmetojë problemet dhe kërkesat në takimet për shqyrtim të mëtejshëm. Në këtë mënyrë, të gjithë janë të përfshirë sipas vendbanimit në fshat, por edhe sipas përkatësisë etnike", shprehet Emir Qamili, kryetar Bashkësisë Lokale. Kështu, në këtë periudhë të shkurtër prej më pak se një viti, me angazhimin e anëtarëve të Bashkësisë Lokale, janë rregulluar disa zona të gjelbra, largimi i mbeturinave, janë vendosur disa gardhe mbrojtëse, punë e pastrimit nën ura, disa mijëra metra katrorë me pllaka bekaton në shumë rrugë, janë rregulluar qindra metra kanale, është punuar në hyrjen e fshatit, etj. Përmes të gjitha këtyre gjërave të bëra, si dhe gjatë bisedës me përfaqësuesit e Bashkësisë Lokale, mund të perceptohet entuziazmi i tyre i madh. Kryetari Emir, i cili është 31 vjeç dhe bën pjesën në mesin e më të rinjve, sqaron se duhet doemos të bëhen përpjekje për ta bërë Tearcën vend më të mirë për jetesë për shkak të trendit të shpërnguljes, para së gjithash tek njerëzit e rinj. "Njerëzit mezi presin të shkojnë në Gjermani. Për shkak të pandemisë, objektet gastronome dhe ndërmarrjet e atjeshme nuk punojnë , kështu që disa nga të rinjtë janë kthyer. Sapo të normalizohet puna, nuk do të mbetet asnjë nga të rinjtë. Nuk shohin perspektivë këtu. Nga ana tjetër, ka disa pensionistë që kanë punuar jashtë vendit, vijnë këtu për të jetuar, nëse jo gjithë vitin, së paku në periudhën nga prilli deri në tetor. Ata investojnë në shtëpi dhe biznese, prandaj duhet punuar për infrastrukturë më të mirë", shprehet Emiri. Bashkësia Lokale ka hapësirën e saj ku mund të vijë çdokush dhe të kërkojë ndihmë ose të dorëzojë kërkesë specifike. Është iniciuar posaçërisht në atë të ketë hapësirë të veçantë për Bashkësinë Lokale, në mënyrë që, siç thonë, të ketë atmosferë të mirëfilltë pune, e jo takimet e tilla të zhvillohen në ndonjë nga lokalet. "Si thotë thënia popullore - Çfarë mungon në shtëpi të zbrazët? Në fshatin tonë, siç duket, mungon gjithçka. Kemi filluar të rregullojmë ngadalë sepse infrastruktura është kryesorja për jete normale në një mjedis të këtillë. Ka nga të gjitha llojet e kërkesave. Shembull është dhe vjedhja e drunjve nga pronat private në pyjet. Qytetarët vijnë këtu për të gjitha problemet. Duam që të zgjidhen sa më shumë nga problemet", shprehet Arben Memeti, anëtar i Bashkësisë Lokale. "Problemet në fshat janë grumbulluar dhe kjo është arsyeja pse kemi shumë zona ku duhet vepruar dhe punuar. Nuk bëhet dallim se ku punohet, ne përpiqemi në të gjitha mëhallat të tejkalohen problemet që ekzistojnë dhe vendasve t'ua bëjmë jetën më të rehatshme. Ekziston një harmoni që ndihmon dhe paraqet bazën për zgjidhjen e disa prej gjërave", shprehet Borçe Acovski, gjithashtu anëtar i Bashkësisë Lokale. Mjetet e nevojshme për përpilimin e projekteve të ndryshme sigurohen nga Bashkësia Lokale përmes thirrjes publike për donacione nga banorët e Tearcës. "Vendasve nuk u kërkohet të marrin pjesë detyrimisht, por kush si mundet dhe dëshiron. Këtë e quajmë anëtarësi në mënyrë që të mund të evidentohet dhe të dihet se si janë shpenzuar paratë. Shuma është nga 1000 denarë për shtëpi, si donacion. Por kemi edhe shembuj nga mërgimtarët që kanë dhanë nga 100, 200, 300 euro, varësisht nga aksioni. Ka mbështetje nga popullata, ndoshta 90% e shtëpive kanë dhuruan mjete", sqaron Altin Selimi. Këta njerëz po përpiqen të marrin sa më shumë ndihmë nga komuna. Shprehen se vetë ligji synon që Bashkësia Lokale të jetë lidhja mes komunës dhe qytetarëve. "Kërkesat nga qytetarët janë të ndryshme si për rregullimin e ndriçimit rrugor dhe pastërtisë. Por te ne drejtohen edhe për problemet më të mëdha, siç janë uji i pijshëm, kanalizimi fekal, rregullimi i shtratit të lumit për shkak të rrezikut nga përmbytjet, rregullimi i rrjetit të kompanisë për shpërndarjen e energjisë elektrike. Këto janë gjëra që ne si Bashkësi Lokale nuk jemi në gjendje t'i zgjidhim dhe prandaj është e rëndësishme që komuna t'i tejkalojë këto gjëra", sqaron Emir Qamili. "Kemi burime, por ndonjëherë kur ka mungesë uji merret edhe nga lumi. Për shkak të hidrocentraleve në lumë, u shfaq problemi me ujin e pijshëm, ai u ekzaminua dhe ai nuk është për pije. Zgjidhja është marrja e ujit nga burimet ekzistuese. E dimë nga të moshuarit në fshat se ka burime të shumta me të cilat mund të furnizohemi me sasi të mëdha të ujit për një kohë të gjatë. Aktivitet i tillë nuk është bërë nga komuna. Gjithashtu, kanalizimi nuk është domeni ynë. Ende ka gropa septike, por kjo duhet të ndryshohet. Nuk ka më oborre. Nuk ka ku të ndërtohen ato gropa, prandaj duhet të ndërtohet edhe kanalizim fekal", sqaron Arben Memeti. Ndonëse Tearca ka qenë në vatrën e vitit 2001, këtu bashkëjetesa ka vazhduar dhe kultivohet, konsiderojnë bashkëbiseduesit. "Është pozitive ajo se ne punojmë së bashku, prandaj nuk ka asnjë arsye që dikush të thotë se Bashkësia Lokale punon vetëm te maqedonasit ose vetëm te shqiptarët", shprehet Emir Qamili. "Kur e bëmë rrugën drejt policisë, ku jetojnë më shumë maqedonas, organizuam të mblidhen rreth 2000 euro për punë dore dhe gjysmën e bekatonit, rërës dhe ngjashëm. Kemi shkuar përzier shtëpi më shtëpi, një maqedonas dhe dy shqiptarë, për të mbledhur para, askush nuk na ka kthyer. Na thanë se sa herë që do të ketë nevojë, duam të dhurojmë për gjëra të mira", tha Arben Memeti. Bashkësia Lokale numëron përveç sipas kombësive të ndryshme edhe anëtarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Tearca gjendet 11 km në veri të Tetovës, në lartësi mbidetare prej 540 metrash, me sipërfaqe prej 31.8 kilometra katrorë. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002,  numëron 3,900 banorë. Aleksandar Samarxhiev

QËNDRONI TË LIDHUR