• e enjte, 26 dhjetor 2024

Tasevski: Nuk përjashtohet mundësia e mbylljes së hapësirës ajrore derisa nuk zgjidhet rasti me sulmin ndaj të punësuarve në M-NAV

Tasevski: Nuk përjashtohet mundësia e mbylljes së hapësirës ajrore derisa nuk zgjidhet rasti me sulmin ndaj të punësuarve në M-NAV

Shkup, 4 janar 2024 (MIA) - Vendim për grevë të Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Fluturimeve (SPKF) pritet sonte si masë derisa nuk zgjidhet rasti në të cilin ishin sulmuar kontrollorët e fluturimeve të punësuar në M-NAV, deklaroi kryetari i SPKF, Aleksandar Tasevski.

Në paraqitjen e sotme si mysafir në Televizionin Sitel, Tasevski tha se kjo ngjarje, siç tha, te ata ka shkaktuar zemërim të shtuar dhe nuk përjashtohet mundësia për mbyllje të qiellit. 

"Sonte vonë do të mbahet takim ku nuk përjashtohet mundësia e mbylljes së gjithë hapësirës ajrore derisa nuk dënohen autorët e ngjarjes së sotme. Sepse para së gjithash duhet ta mbrojmë çdo kontrollor tonin për fluturime, çdo të punësuar në këtë firmë, si dhe udhëtarët të cilët udhëtojnë", tha Tasevski.

Mbyllja e qiellit, siç shtoi, do të nënkuptonte se aeroplanët të cilët zakonisht fluturojnë përmes kufijve tanë ajrorë, do të duhet të anashkalojnë hapësirën tonë ajrore. 

"Gjatë periudhës së kaluar, lëshimet tona që kemi bërë në lidhje me grevat që po paralajmërojmë, i kemi bërë sepse kemi dashur thellësisht, megjithëse jo gjithmonë kemi qenë të sigurt, që gjërat të ndryshojnë në një drejtim pozitiv, nga njëra anë. Nga ana tjetër, çdo herë kemi dashur të dalim me mirëkuptim ndaj qytetarëve tanë, të cilët janë më së paku fajtorë për të paguar pasojat e një aktiviteti të tillë si grevë, sepse do të jenë ata që nuk mund të udhëtojnë", shtoi ai.

Në pyetjen nëse pas gjithë këtyre ngjarjeve, ne si qytetarë të thjeshtë, duhet të hipim në aeroplan, Tasevski u përgjigj "po".

"Kontrollorët e fluturimeve nuk do të lejojnë të ndodhë asgjë në asnjë aeroplan. Angazhimet tona janë pikërisht në atë drejtim që udhëtarët të mund të udhëtojnë kudo në botë. Në momentin e parë kur do ta ndjejmë se nuk mundemi t'i përballojmë të gjitha rrethanat që ndodhin rreth nesh, do të themi ndal", tha ai.

Deklarata e Tasevskit vijoi pasi një person i punësuar në M-NAV, bashkë me edhe disa persona të tjerë të panjohur sot fizikisht kanë sulmuar tre të punësuar në këtë institucion.

Këtë informacion e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme, prej ku informuan se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Sot (01.04.2024) rreth orës 15:15 në NP Petrovec, një person i punësuar në M-NAV ka raportuar se në objekt ka pasur shkelje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht se B.N. (personi i punësuar në institucion) së bashku me disa persona të tjerë të panjohur kanë sulmuar fizikisht P.B., E.K. dhe B.R. (personat e punësuar në institucion). Menjëherë pas pranimit të kallëzimit në vendngjarje janë drejtuar nëpunës policorë nga SPB Shkup dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Tasevski më parë njoftoi se në objektin e kontrollit të fluturimeve kanë ardhur disa automjete prej të cilave kishin dalë disa persona të cilët kynë hyrë në objektin e kontrollit të fluturimeve dhe kanë shkaktuar zënkë dhe kanë sulmuar të punësuar në kontrollin e fluturimeve.Sipas tij, automjetet kishin hyrë pa u penguar nga ana e sigurimit. 

"Automjetet kanë hyrë pa u ndalur nga sigurimi, i cili është i një kompanie të jashtme, kontrata e së cilës sipas dijeve tona ka skaduar kohë më parë dhe nuk kemi të dhëna nëse i është vazhduar sërish. Në anën tjetër sigurimi i M-NAV që ndodhet në vetë objektin nuk ka reaguar", thekson ai.

Ky akt dhune, shtoi ai, përbën kërcënim jo vetëm për çdo profesionist të kontrollit të fluturimit, por edhe për sigurinë e aviacionit.

Sulmi ndodhi pas konferencës së sotme për shtyp të Tasevskit, në të cilën ai informoi se njëzet deri në tridhjetë kontrollorë të trafikut ajror dhe ndihmësit e tyre në Navigacionin maqedonas (M-NAV) pritet të fillojnë të japin dorëheqje nga pozitat e tyre drejtuese në M-NAV, duke shpjeguar se dorëheqjet janë në mbështetje të aktiviteteve sindikaliste dhe reagimeve për shpalljen e fundit për punësim në këtë institucion.

Tasevski në konferencë për shtyp tha se dje me telefon është thirrur në Sektorin për krim të dhunshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe iu prezantua padia nga ana e dy prej tre drejtorëve në M-NAV, Fahrudin Hamidi dhe Fesim Deari. Ata kanë ngritur padi penale kundër tij, siç tha, në bazë të mesazhit së dërguar elektronike për shkak "të ndjenjës së rrezikut për sigurinë e tyre të jetës" sipas nenit 144 paragrafi dy nga Kodi penal. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR