• e enjte, 26 dhjetor 2024

Tasevski: Janë sulmuar punonjësit në kontrollin e fluturimit

Tasevski: Janë sulmuar punonjësit në kontrollin e fluturimit

Shkup, 4 janar 2024 (MIA) - Në objektin e kontrollit të trafikut ajror të M-NAV sot janë sulmuar punonjësit e kontrollit të fluturimit. Siç ka njoftuar në profilin e tij në Fejsbuk, kryetari i Sindikatës profesionale të kontrollorëve të trafikut ajror (SPKT), Aleksandar Tasevski, rasti është raportuar në stacionin policor të Petrovecit, ku janë njoftuar ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe ministri i Punëve të Brendshme.

"Në objektin e kontrollit të fluturimit kanë ardhur disa automjete, nga të cilat kanë dalë disa persona të cilët kanë hyrë në objektin e kontrollit të fluturimit dhe kanë shkaktuar sherr dhe kanë sulmuar punonjësit e kontrollit të fluturimit, kolegët e mi. Rasti është raportuar në stacionin policor të Petrovecit, janë njoftuar edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe ai i Punëve të Brendshme", ka shkruar ai në Fejsbuk.

Sipas Tasevskit, veturat kanë hyrë pa u ndalur nga sigurimi.

"Automjetet kanë hyrë pa u ndalur nga sigurimi, i cili është i një kompanie të jashtme, kontrata e së cilës sipas dijeve tona ka skaduar kohë më parë dhe nuk kemi të dhëna nëse i është vazhduar sërish. Në anën tjetër sigurimi i M-NAV që ndodhet në vetë objektin nuk ka reaguar", thekson ai.

Ky akt dhune, shtoi ai, përbën kërcënim jo vetëm për çdo profesionist të kontrollit të fluturimit, por edhe për sigurinë e aviacionit.

Sulmi ndodhi pas konferencës së sotme për shtyp të Tasevskit, në të cilën ai informoi se njëzet deri në tridhjetë kontrollorë të trafikut ajror dhe ndihmësit e tyre në Navigacionin maqedonas (M-NAV) pritet të fillojnë të japin dorëheqje nga pozitat e tyre drejtuese në M-NAV, duke shpjeguar se dorëheqjet janë në mbështetje të aktiviteteve sindikaliste dhe reagimeve për shpalljen e fundit për punësim në këtë institucion.

Tasevski në konferencë për shtyp tha se dje me telefon është thirrur në Sektorin për krim të dhunshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe iu prezantua padia nga ana e dy prej tre drejtorëve në M-NAV, Fahrudin Hamidi dhe Fesim Deari. Ata kanë ngritur padi penale kundër tij, siç tha, në bazë të mesazhit së dërguar elektronike për shkak "të ndjenjës së rrezikut për sigurinë e tyre të jetës" sipas nenit 144 paragrafi dy nga Kodi penal. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR