• e enjte, 26 dhjetor 2024

Taravari: Tani për tani nuk planifikojmë të heqim dorë nga vendi në KSHZ

Taravari: Tani për tani nuk planifikojmë të heqim dorë nga vendi në KSHZ

Gostivar, 28 shtator 2023 (MIA) - Vendin në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) edhe më tej do ta mbajë Aleanca për Shqiptarët, kështu u përgjigj lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në një shkollë të mesme në Gostivar.

Për mundësinë e heqjes dorë nga vendi në KSHZ, ku Aleanca për Shqiptarët ka një anëtar, ai duhet të jetë i opozitës, Taravai sqaroi se tani për tani kjo nuk është në plan, ndërsa për mundësi të tilla, do të vendosnin organet e partisë.

"Ne paraprakisht e kemi kërkuar atë vend si opozitë dhe nuk e kemi marrë nga Lëvizja Besa. Më vonë, me ndryshimin e përbërjes së KSHZ-së, Aleanca mori një ulëse për shkak të rezultateve zgjedhore. Aty deri para pak kohësh ishte Krenar Lloga, i cili u largua për një post ministror dhe ai vend është ende i lirë. Për nominimin e anëtarit të ri në KSHZ do të bisedojmë ditëve në vijim brenda partisë", tha Taravari.

Për ftesat publike të liderëve të partive tjera politike për koalicion me njërën nga partitë e shqiptarëve në Maqedoni, Taravari nuk është përgjigjur drejtpërdrejtë, por ka theksuar se në politikë qeverisin rregulla tjera dhe siç tha ai, kurrë mos thuaj kurrë.

"Aktualisht nuk ka bisedime të tilla dhe nuk është hapur si mundësi. Megjithatë, oferta dhe ftesa të tilla nuk duhet të vijnë përmes fjalimeve televizive", thekson kreu i ASH-së.

I pyetur për koment dhe qëndrimin e tij për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin anulohet Udhëzimi për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit, që parashikon shënimin e shtetësisë në evidencën amë, Taravari nuk ka dashur të komentojë. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, ai shtoi se do të ishte mirë që ky institucion të jetë konsistent në marrjen e vendimeve në të ardhmen, siç ka qenë në këtë rast dhe të mos ketë standarde të dyfishta. qa/bsh/

Foto: Komuna e Gostivarit

QËNDRONI TË LIDHUR