• e shtunë, 23 nëntor 2024

Taravari sot pritet të takohet me Selën

Taravari sot pritet të takohet me Selën

Shkup, 2 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Travari sot pritet të takohet me kryetarin e Kuvendit të kësaj partie, Zijadin Sela. Në takimin e sotëm, siç informojnë një pjesë e mediave, Taravari pritet ta informojë Selën për ofertën nga takimi dy ditë më parë i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët me tre kryetarët e Lidhjës evropiane për ndryshime - Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.

Përderisa Sela deklaroi se Taravari nuk është koordinuar me të para takimit në Prishtinë, Taravari në një deklaratë të shkurtër për MIA-n theksoi se e ka njoftuar Selën për atë që është biseduar në takimin po atë natë.

"E kam informuar Zijadinin, po atë natë kur ndodhi takimi. Përndryshe, ne kemi pasur takime të rregullta", tha Taravari. 

Sela si kryetar i Kuvendit të partisë mbrëmë ka pasur një takim me kryetarin e degëve të partisë. Nuk ka asnjë informacion zyrtar se çfarë ka biseduar Sela me ta në takim, por sipas fotos së shpërndarë nga disa kryetarë të degëve në rrjetet sociale, shihet se Taravari nuk ka qenë i pranishëm.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në deklaratë për MIA-n ka konfirmuar se partitë nga opozita shqiptare i kanë sugjeruar që të jetë kandidati i tyre për president në zgjedhjet e ardhshme, por ka theksuar se nuk është i interesuar.

"Opozita shqiptare ka folur me mua për të qenë kandidat për president, por nuk jam i interesuar", tha Taravari. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR