• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Taravari pyet Osmanin: Pse propozuat zgjidhje nga OSBE në kundërshtim me interesin e Republikës se Kosovës

Taravari pyet Osmanin: Pse propozuat zgjidhje nga OSBE në kundërshtim me interesin e Republikës se Kosovës

Shkup, 8 prill 204 (MIA) - Kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari në konferencë për shtyp tha se kjo konferencë shtypi është jo e zakonshme për shkak se, siç tha, ka përjetuar shok kur ka parë reagimin e Prishtinës zyrtare në lidhje me planin 9-pikësh të OSBE-së për deeskalimin dhe normalizimin e veriut të Kosovës, i përpiluar nga Bujar Osmani si kryesues i kësaj organizate.

"Autorësinë e këtij plani, që atëkohë ishte komplet antipod me situatën dhe me interesat e Kosovës respektivisht shqiptarëve, e ka konfirmuar Osmani në një rrëshqitje të qëllimshme përgjatë një emisioni televiziv parmbrëmë në Kosovë. Kjo përpjekje e tij për të treguar se si ministër i Jashtëm ka kontribuar edhe për stabilitetin në rajon, është një e vërtetë e hidhur për qytetarët e vendit tonë dhe shqiptarët kudo. Tani jemi në situatën ku themi fatmirësisht që ai plan nuk u pranua dhe nuk u realizua nga Qeveria e Kosovës, se me sa pash unë, ai plan vetëm për deeskalim nuk ishte. Ne e dimë sepse kemi përcjellur me shqetësim të madh vëllazëror zhvillimet në Republikën e Kosovës dhe situatën në veriun e vendit atje. Presionet me të cilat është përballur Republika e Kosovës kanë qenë të mëdha, e në anën tjetër kërcënimet dhe lufta hibride nga shteti serb në veriun e vendit ka qenë përmanent përherë", tha Taravari.

Ai shtoi se në planin e Bujar Osmanit për deeskalim, rreth katër muaj para se të ndodhte sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici dëshmor Afrim Bunjaku, Kosovës iu kërkua të tërheqë policinë speciale që në atë kohë përkujdesej për sigurinë e qytetarëve që po cenohej nga bandat kriminale serbe. Për sigurinë, siç tha Taravari, ai propozoi të ketë policë të rregullt, me ndihmën e KFOR-it dhe EULEX, si dhe kërkoi dorëheqje të katër kryetarëve shqiptarë, pikë e njëjtë më kërkesën zyrtare të Beogradit.

"Si të mos mjaftonin këto gabime të mëdha diplomatike, mbrëmë Osmani paska thënë se plani i tij paska sjellë paqen. Si mundet një plan i cili u refuzua në tërësi nga Qeveria e Kosovës te sjellë paqen? Lërini sulmet edhe mburrjet e kota z. Osmani, por shpjegoni publikut, pse keni kërkuar që në veri të Kosovës të largohen policët specialë, dhe të mbeten vetëm policët e thjeshtë? A e dini ju se me forcat terroriste, policët e thjeshtë nuk kanë kapacitet të përballen siç u konfirmua edhe me rënie dëshmor të Afrim Bunjakut? A është koncepti juaj për paqen, hapja e rrugës për terroristët dhe cenimi i sovranitetit të Kosovës?", u shpreh Taravari.

Në fund, ai tha se koordinimi i tij gjithmonë është me shtetet shqiptare dhe veçanërisht me Prishtinën zyrtare, dhe jo të shtërgojë duart me Lavrovin, Vuçiqin e Daçiqin.

"Mendësisë qeverisëse e z.Osmani dhe BDI-së në përgjithësi, duhet t’i them Mjaft sepse ky është kulmi. Kjo paaftësi mund t’u kushtojë tejmase shqiptarëve në kuptimin kombëtar. Mendoj se qytetarët janë ata që nuk harrojnë dhe ata janë përgjigja e fundit dhe më e vërteta se deformimi i vullnetit të tyre, i orientimit të tyre nuk mund të ndodhë. Këtë përgjigje ata do ta japin fillimisht me 24 prill e më pastaj edhe me 8 maj", deklaroi Taravari. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR