• e enjte, 26 dhjetor 2024

Taravari: Ndryshimet në bllokun shqiptar doemos të vijnë pas 24 vitesh

Taravari: Ndryshimet në bllokun shqiptar doemos të vijnë pas 24 vitesh

Gostivar, 10 shkurt 2024 (MIA) - Mesazhi kryesor nga takimi i sontëm është se ndryshimet në bllokun shqiptar duhet të vijnë pas 24 vitesh. Ndryshimi do të ndodhë dhe askush nuk mund ta ndalë atë ndryshim, porositi sonte nga Gostivari kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në tubimin partiak nën moton “Ndryshimi ka filluar”.

I pyetur nëse zyrtarisht do të hyjë në koalicion me bllokun opozitar shqiptar, ai tha se këtë javë do të takohet me liderët e opozitës shqiptare.

"Ende nuk kemi platformë me partitë opozitare. Këtë javë dua të dëgjoj edhe popullin në disa qytete. Prandaj ishim në Kumanovë. Njerëzit kanë energji pozitive. Javën e ardhshme do të takohem me kryetarët e partive opozitare shqiptare, të ulemi të bisedojmë dhe të vendosim se kur mund të bëjmë koalicion zyrtar me ndonjë platformë", ka thënë Taravari.

I pyetur nëse do të formojë parti, ai thotë se “nëse dikush mendon se Aleanca për Shqiptarët është pronë e dikujt dhe e ka sjellë nga shtëpia, do t’ia dërgojmë në shtëpi dhe do t’ia kthejmë”. Por partia është e votuesve, e anëtarësisë, njerëzve që e mbështesin", ka thënë Taravari.

Para fillimit të tubimit në një status në Fejsbuk ai ka shkruar se Gjykata do të vendosë se kush do ta drejtojë Aleancën për Shqiptarët.

"Kauza jonë është ndryshimi. Janë të pasuksesshme tentimet e BDI-së dhe skenaristit Grubi për të na defokusuar se e kujt është partia dhe kujt i përket. Nga sot nuk do të merremi më me këtë punë. Kushdo që ka ankesa le të drejtohet në gjykatë. E jona është ndryshimi që ka filluar. Data 8 maj po afrohet çdo ditë e më shumë", ka shkruar Taravari në statusin në Fejsbuk.

Më herët në kuvendin qendror të partisë që u mbajt në Shkup u miratua iniciativa për shkarkimin e Arben Taravarit nga pozita e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, informoi Ziadin Sela i cili sipas statutit është edhe kryetar i kuvendit partiak të ASH-së.

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR