• e martë, 24 dhjetor 2024

Taravari: Me zyrtarë të VLEN-it, Vuçiqi nuk mund të shëtitet në Shkup e Ohër

Taravari: Me zyrtarë të VLEN-it, Vuçiqi nuk mund të shëtitet në Shkup e Ohër

Shkup, 19 nëntor 2024

Kryetari i ASH-së dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në emisionin Interaktiv në KTV, ka theksuar se Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut u formua para pesë muajve, dhe kryeministri i parë që u prit nga qeveria e re ishte kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Takimin e parë bilateral, siç theksoi Taravari, që e bëri Mickoski pasi u zgjodh kryeministër ishte vizita në Kroaci dhe mbledhja e parë ndërqeveritare që e bëri kjo qeveri është me qeverinë e Kosovës.

“Dhe këto tre ngjarje janë porosi në vete për gjithë ata që mendojnë se kjo qeveri është antishqiptare. Në krahasim prej periudhës para pesë muajsh kur Vuçiqi me Ahmetin shëtitnin në Ohër e Shkup, kur Bujar Osmani vizitonte më shumë Beogradin se Kosovën, tash ndodh e kundërta. Nuk mund të ndalim asnjë zyrtar të qeverisë ta viziton Beogradin, por Vuçiqi nuk mund të shëtitet me zyrtarët e VLEN-it në Shkup dhe Ohër”, tha Taravari.

Sa i përket deklaratave të Kurtit rreth gjuhës shqipe, Taravari tha se Kurti ishte absolutisht i saktë dhe i drejtë në formulimin e tij.

“Ne kemi katër ligje që janë votuar që nga viti 2002. Dmth kemi katër ligje për gjuhët, jo për gjuhën shqipe. Gjeneratori i krizës për gjuhën është kushtetuta. Në kushtetutë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe gjuha që flasin mbi 20 për qind e popullatës në Maqedoni. Në ligj qëndron LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE. Dhe gabimi si shqiptarë në Maqedoni ishte që nuk insistuam në momentet të caktuara kur ndryshimet kushtetuese vareshin nga shqiptarët, nuk insistuam që 20 përqindëshi të hiqet”, tha Taravari.

____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR