• e martë, 24 dhjetor 2024

Taravari: Komuna e vetme në botë, ku valon flamuri rom është Komuna e Gostivarit

Taravari: Komuna e vetme në botë, ku valon flamuri rom është Komuna e Gostivarit

Tetovë, 8 prill 2024 (MIA) - Kandidati për president nga koalicioni "Vlen", Arben Taravari dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Billal Kasami me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve - 8 Prill, kanë mbajtur takim me komunitetin rom në Tetovë. Taravari tha se si komuna, Tetova dhe Gostivari vazhdimisht kanë aktivitete, të cilat janë të orientuara drejt përmirësimit të jetesës së komunitetit rom.

"Sot kisha nder dhe kënaqësi të takohem me disa organizata të caktuara joqeveritare rome. Sot është Dita ndërkombëtare e komuniteit rom dhe ky është rasti dhe shkaku të shihemi me ta, të ulemi, të bisedojmë, edhe pse në vazhdimësi në dy komunat më të mëdha shqiptare, Tetova dhe Gostivari çdoherë kemi aktivitete me të cilat shpresoj se i përmbushim kërkesat e tyre në nivel lokal. Unë shpesh them dhe mburem me atë se e vetmja komunë ku valon flamuri rom, është Komuna e Gostivarit. Po ashtu, në kabinetet tona kemi njerëz, të cilët janë të komunitetit rom, në përgjithësi për projekte, që kanë të bëjnë për komunitetin etnik rom", tha Taravari.

Ai ka shfaqur shpresë se sot si kandidat për president, por edhe në përgjithësi si koalicion "Vlen", që garon në zgjedhjet parlamentare, nga organizatat joqeveritare do t'i dëgjojnë kërkesat dhe problemet të cilat janë të rëndësishme për ta.

Me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve - 8 Prill, në shtizat në Tetovë është vendosur edhe flamuri rom. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR