Taravari: Gjuha shqipe nuk është e barabartë me atë maqedone dhe duhet të kthehet në atë që ishte para vitit 1991
- Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari konsideron se me ligjet aktuale gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedone. Ai këtë e tha në një aktivitet në Gostivar duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve. Si pjesë e koalicionit qeveritar ata kanë për qëllim të heqin termin "20 për qind" nga Kushtetuta, ndërsa përdorimi i gjuhës shqipe të kthehet në nivelin si që ishte para vitit 1991.
- Post By Fami Bajrami
- 13:31, 25 nëntor, 2024
Gostivar, 25 nëntor 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari konsideron se me ligjet aktuale gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedone. Ai këtë e tha në një aktivitet në Gostivar duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve. Si pjesë e koalicionit qeveritar ata kanë për qëllim të heqin termin "20 për qind" nga Kushtetuta, ndërsa përdorimi i gjuhës shqipe të kthehet në nivelin si që ishte para vitit 1991.
"Kemi ligj të cilin e kemi votuar ne dhe BDI-ja dhe të gjitha partitë shqiptare. Nuk ka parti që nuk e ka votuar. Por, fatkeqësisht në vitin 2018 dikush e ka kundërshtuar në Komisionin e Venecias dhe ka pasur vërejtje për tre nene që deri ditën e sotme nuk janë përdorur, nuk janë vënë në përdorim", tha Taravari.
Ai vlerëson se nuk ka kushte për tërheqjen e saj dhe se si koalicion janë garantues që gjuha shqipe të përdoret ashtu siç është përdorur.
"E shikoni, a ka diku që nuk përdoret. E di që ka institucione me ekstreme të caktuara, ku duhen disa muaj që ta kuptojnë realitetin. Kishte dhe kritika për faqen e presidentes, por tashmë edhe faqja e presidentes është në gjuhën shqipe. Kështu që, të mos keni asnjë grimcë shprese se mund të hiqet përdorimi i gjuhës shqipe", tha Taravari.
Sipas tij, përdorimi i gjuhës shqipe tani nuk është i barabartë me përdorimin e gjuhës maqedone, por nuk precizoi nëse do të shfuqizohen tre nenet.
"Ne duhet të përpiqemi të rikthejmë atë që ka qenë para vitit 1991, para vitit 1991 përdorimi i gjuhës shqipe dhe maqedone ka qenë i barabartë. Qëllimi jonë është tërheqja e 20 përqindëshit nga Kushtetuta. Kjo është zgjidhja përfundimtare për përdorimin e gjuhës shqipe, gjithçka tjetër është improvizim", nënvizoi Taravari. rq/
Foto: MIA