Taravari: Dhjetë të lënduarit nga zjarri në Koçan do të lëshohen në mjekim shtëpiak, në trajtim mbeten dhe 162 pacientë
- Numri i pacientëve të lënduar të cilët për momentin trajtohen nga lëndimet e marra nga zjarri në Koçan është 162. Sot, dhjetë nga pacientët që janë të shtruar në spital në mbarë vendin do të lëshohen për trajtim shtëpiak, ndërsa dje nga spitali janë lëshuar tre pacientë, deklaroi sot numri një i Shëndetësisë, Arben Taravari.
- Post By Fami Bajrami
- 12:20, 21 mars, 2025

Shkup, 21 mars 2025 (MIA) - Numri i pacientëve të lënduar të cilët për momentin trajtohen nga lëndimet e marra nga zjarri në Koçan është 162. Sot, dhjetë nga pacientët që janë të shtruar në spital në mbarë vendin do të lëshohen për trajtim shtëpiak, ndërsa dje nga spitali janë lëshuar tre pacientë, deklaroi sot numri një i Shëndetësisë, Arben Taravari.
"Momentalisht në Qendrën klinike po qëndrojnë 25 pacientë, në SPQ "8 Shtatori" 12 pacientë, në Spitalin e përgjithshëm të qytetit 11 dhe në Shtip një pacient. Pritet të lëshohet një pacient nga Shtipi, një nga Kirurgjia pediatrike, tre nga Kirurgjia torakale. Në "Sistinë" dhe "Zhan Mitrev" po trajtohen gjithsej 9 pacientë, prej tyre pesë sot janë duke u çregjistruar", tha Taravari.
Ministri tha se 115 pacientë janë në mjekim jashtë vendit. Përveç një pacienti i cili po trajtohet në Turqi, pjesa tjetër janë në gjendje serioze, por stabile.
"Gjithsej 115 janë në mjekim jashtë vendit. Në Serbi 30, ajo është publikuar në ueb faqen e Ministrisë, dy prej të cilëve tashmë janë ekstubuar. Në Bullgari 15 pacientë prej të cilëve tre tashmë janë ekstubuar, domethënë të gjithë në gjendje stabile. Në Greqi 12, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike. Në Ankara gjashtë pacientë janë ekstubuar, përderisa i njëjti numër janë ekstubuar në spitalin e Stambollit", shtoi Taravari.
Në Spanjë, siç tha ai, po mjekohen shtatë pacientë, në Austri pesë, në Hungari gjashtë pacientë, prej të cilëve njëri është tashmë me temperaturë dhe me kollë, të tjerët janë në gjendje stabile.
"Në Kroaci janë pesë pacientë, njëri është i intubuar dhe stabil dhe katër të tjerë janë në gjendje plotësisht stabile. Në Slloveni janë gjithsej katër pacientë, prej të cilëve tre në gjendje më serioze. Në Lituani janë katër pacientë, njëri prej të cilëve është ekstubuar atje, që do të thotë se është në gjendje më të mirë. Në Belgjikë katër pacientë prej të cilëve katër janë në gjendje stabile. Në Itali katër pacientë të cilët tashmë janë në këmbë. Domethënë ka mundësi që javën e ardhshme do flasim edhe për protokollet e kthimit të këtyre pacientëve. Në Suedi janë katër pacientë, dy prej të cilëve janë në gjendje plotësisht stabile dhe në Poloni janë dy pacientë të cilët vetëm njëri është i intubuar", tha Taravari.
Në mbledhjen e sotme të Shtabit të krizës është hapur edhe tema e kthimit të pacientëve nga java e ardhshme.
"Kemi paralajmërime nga vende të caktuara ku pacientët janë në gjendje të mirë, me qëllim për të përgatitur protokolle se si do të jetë kthimi i tyre, nëse do të kenë nevojë të akomodohen pasi që do të rikontrollohen nga mjekët tanë. Ata që janë në gjendje të mirë pas kontrollit nga mjeku mund të lëshohen për në shtëpi", tha ai.
Sipas tij, faza tjetër janë infeksionet e mundshme tek këta pacientë dhe për këtë arsye duhet të parandalohet maksimalisht që të mos shfaqen komplikime. rq/
Foto: MIA