• e enjte, 26 dhjetor 2024

Taravari: Asfaltim i pesë rrugëve dhe urë e re për personat me aftësi ndryshe

Taravari: Asfaltim i pesë rrugëve dhe urë e re për personat me aftësi ndryshe

Gostivar, 23 shtator 2023 (MIA)- Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në emisionin “Politica” në TV Globi, paralajmëroi se në komunën e Gostivarit në periudhën në vijim do të ketë një “boom” të vërtetë investimesh, ku do të asfaltohen të paktën 5 rrugë, si dhe do të vazhdojë puna për ndërtimin e kanalizimeve dhe investime tjera nën tokë. 

"Për momentin punohet në tre rrugë që përgatiten për t'u asfaltuar: Banjicë e Poshtme - Banjicë e Epërme; rruga Zdunjë-Debresh, pastaj kemi kanalizimin Zdunjë-Debresh; së shpejti do të fillojë rikonstruktimi  i plotë i rrugës nga pompa e benzinës Mak Petrol deri te restornati Ignatia. Do të bëhet riasfaltimi i rrugën Beliçicë për çka e kemi përgatitur dokumentacioni, pastaj edhe asfaltimin e rrugës për në fshatin Kunovë”, njoftoi Taravari duke nënvizuar se për këtë të fundit ka kritika nga një pjesë e qytetarëve se në atë fshat nuk jeton askush, por sqaroi se kjo rrugë ndërtohet me buxhet të siguruar nga Agjencia për zonat e pazhvilluara. 

Po ashtu, siç njoftoi kryetar ii komunës së Gostivarit, në Turçan të Vogël punohet në dy rrugica që shtrohen me pllaka bekatoni, ndërsa një rrugë tjetër bëhet gati për asfaltim. 

Taravari tha se njëri nga tre garazhet e planifikuar në kate,  tanimë ka filluar të ndërtohet, si dhe paralajmëroi edhe fillim e ndërtimit të një terreni për tenis.

"Aktualisht kanë filluar punimet te garazhet në kate, njëra ka filluar të ndërtohet në afërsi të palestrës sportive "Rinia", e dy të tjerat do të fillojnë të ndërtohen së shpejti. Do fillojmë edhe me terrenet për tenis te stadium, ku procedurat janë në vijim. Investimet kryesore janë këto dhe duhet të realizohen", sqaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit. 

Ai zbuloi se Komuna e Gostivarit ka fituar një grant prej 400 mijë euro, me të cilat para do të ndërtohet urë për personat me nevoja ndryshe. "E them sonte ekskluzivisht në këtë emision se me Komunën e Vitisë në Kosovë kemi fituar një grant, ku neve na takojnë 400 mijë euro. Me ato para do të ndërtojmë urë të re mbi lumin Vardar për personat me nevoja të veçanta. Ky projekt ka qenë një nga projektet e mia që kam dashur të realizohet", theksoi Taravari. 

Ai bëri të ditur se Komuna e Gostivarit, nga tetori do të blejë softuer të ri për regjistrim të pronave, me të cilin do të gjenerohen më shumë të ardhura nga pagesa e tatimit mbi pronën.

QËNDRONI TË LIDHUR