• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Taravari: Aleanca për Shqiptarët do t’i bashkohet opozitës shqiptare

Taravari: Aleanca për Shqiptarët do t’i bashkohet opozitës shqiptare

Shkup, 3 shkurt 2024 (MIA)- Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari sonte ka kërkuar mbështetje nga organet e partisë për t’u bashkuar me opozitën shqiptare.

"Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend!", shkruan Taravari në profilin e tij në Fejsbuk.

Taravari konsideron se pas disa javësh konsultimesh dhe takimesh të shpeshta dhe pas reflektimit të tij personal, ka ardhur koha që ta bëjë publike qëndrimin e tij si lider partie lidhur me zgjedhjet parlamentare.

“Duke marrë parasysh sugjerimet sa të vlefshme aq edhe dashamirëse të të gjithë miqve, anëtarëve dhe përkrahësve, kam zgjedhur të dëgjoj edhe zërin e popullit që sot po flet më qartë se kurrë. Populli e do ndryshimin dhe kërkon një sistem të çliruar nga epidemia e korrupsionit që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut", ka shkruar ai.

Në postimin e tij në Fejsbuk, Taravari publikisht e fton Kuvendin e partisë ta mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, siç thotë, "t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj ndryshimi i madh dhe i shumëpritur”! 

"Asnjëherë ky ndryshim nuk ka qenë më i sigurt dhe më i prekshëm. Askush nuk ka kredibilitet më të madh se Aleanca për ta sjellë këtë ndryshim! Ne jemi në rrugën tonë, jemi në rrugën e trasuar nga Arben Xhaferi. Kjo rrugë do të na çojë aty ku përkasim, në familjen e madhe evropiane, gjithnjë duke kultivuar aleancën tonë të përhershme me SHBA dhe NATO me të cilët ndajmë të njëjtin vizion dhe të njëjtat vlera", theksohet në postimin e tij në Fejsbuk.

Foto: Fejsbuku i Arben Taravarit

 

QËNDRONI TË LIDHUR