• e premte, 27 dhjetor 2024

Taravari: Është rritur numri i rasteve të regjistruara me Kovid, të respektohen rekomandimet

Taravari: Është rritur numri i rasteve të regjistruara me Kovid, të respektohen rekomandimet

Shkup, 21 gusht 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari konfirmoi se është rritur numri i rasteve pozitive me koronavirus në vend dhe tha se duhet të respektohen rregullat anti-kovid për ventilim dhe higjienë. Për pacientët e hospitalizuar tek të cilët do të zbulohet virusi, tha se duhet të vazhdojnë të trajtohen në të njëjtën klinikë.

"Ka rritje të numrit të regjistruar me koronavirus në vend, kishte takim edhe Komisioni për sëmundje ngjitëse dhe kemi konkluzion prej tyre se si duhet të trajtohen - duhet t'i përmbahemi rregullave - ambiente të hapura, jo më njerëz në të njëjtin vend, të ruhet higjiena. Megjithatë, pacientët që trajtohen në klinika për një sëmundje të caktuar dhe ndërkohë infektohen me kovid, rekomandimet janë që të vazhdojnë trajtimin në të njëjtën klinikë, infektologu konsullor të japë rekomandim për terapi shtesë nëse është e nevojshme. Shumica e pacientëve me sa duket e kalojnë atë në mënyrë asimptomatike ose me një formë shumë të lehtë simptomash", tha Taravari në konferencën për mediat në të cilën u promovuan nëntë barna të reja gjenerike të cilat vendosen në Listën pozitive. 

Ai theksoi se në seancën e djeshme të Qeverisë është diskutuar për gjetjen e një zgjidhje që do t'u mundësojë mjekëve nga shëndetësia private të kthehen në shëndetësi publike, duke qenë se ekziston interesim. Siç tha ai, do t'u referohet ekspertëve me mbi 10 vjet përvojë pune, specialistëve dhe subspecialistëve, të cilët do të punësohen në spitale ku ka mungesë të stafit.

"Jam shumë i sigurt se do të gjejmë zgjidhje që një numër i caktuar të kthehen sepse kjo na bën krenarë. Shohim që tashmë ka interesim nga mjekët që punojnë në shëndetësi private për t'u rikthyer në shëndetësi publike, gjë që tregon se besimi në institucionet publike shëndetësore po kthehet", theksoi Taravari duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Në lidhje me vendimin e Qeverisë për formimin e komisionit për ndërtimin e garazheve shtesë në Qendrën klinike në Shkup, disa prej të cilave do të jenë shumëkatëshe, ministri tha se komisioni do të bëjë thirrjen publike për garazhet që do të ndërtohen përmes një partneriteti publik-privat.

Ai pret që thirrja të shpallet sa më shpejt nga Ministria e Shëndetësisë dhe për të gjitha detajet dhe kërkesat që do të duhet të plotësojnë kompanitë e interesuara do të ketë një konferencë të posaçme për media. Ministri inkurajoi të gjitha kompanitë e interesuara që të konkurrojnë sapo të publikohet thirrja.

Në lidhje me tenderin aktual për stacionin e kompresorit për sallat kirurgjike në Qendrën klinike, ai nuk ka informacion se sa kompani kanë aplikuar deri më tani dhe tha se do të dihet pas përfundimit të tenderit, më 12 shtator. qa/

Foto: MIA

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR