Taner: Për Austrinë mbetet prioritet zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në politikën e mbrojtjes
- Lufta në Ukrainë thekson edhe më shumë se sa është e rëndësishme t'i mbështesim miqtë tanë nga Ballkani erëndimor në rrugën e tyre drejt të ardhmes evropiane. Për Austrinë edhe më tutje mbetet prioritet zgjerimi në Ballkanin Perëndimor në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes mbetet një përparësi kryesore. Nga ana e Austrisë, është e dëshirueshme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë dhe të zbatojë negociatat e pranimit me BE-në përmes hapave konkretë që do të nënkuptojnë përparim të madh.
- Post By Besnik Shuki
- 18:05, 24 prill, 2023
Shkup, 24 prill 2023 (MIA) - Lufta në Ukrainë thekson edhe më shumë se sa është e rëndësishme t'i mbështesim miqtë tanë nga Ballkani erëndimor në rrugën e tyre drejt të ardhmes evropiane. Për Austrinë edhe më tutje mbetet prioritet zgjerimi në Ballkanin Perëndimor në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes mbetet një përparësi kryesore. Nga ana e Austrisë, është e dëshirueshme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë dhe të zbatojë negociatat e pranimit me BE-në përmes hapave konkretë që do të nënkuptojnë përparim të madh.
Këtë e tha ministrja federale e mbrojtjes e Austrisë Klaudia Taner në konferencën e përbashkët për media në Shkup me homologen dhe nikoqiren e saj, ministren e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska. Ajo përkujtoi se në kohë veçanërisht të vështira me të cilat përballemi të gjithë sot, vjen në shprehje se sa janë të rëndësishme marrëdhëniet diplomatike midis vendeve, respektivisht roli i partneriteteve shumëpalëshe në të cilat Austria merr pjesë për vite me radhë së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht me Maqedoninë e Veriut.
“Stabiliteti dhe siguria e vendeve të Ballkanit Perëndimor është diçka që duhet të arrihet dhe nuk është diçka që është qëllim vetëm për ato vende, por qëllim i mirëfilltë edhe për ne. Me këtë rast, nuk duhet të harrojmë një rrethanë. Lufta në Ukrainë nuk ka përfunduar ende. Fundi i kësaj lufte nuk mund të shihet ende dhe nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të luftës në drejtim të Evropës nga këndvështrimi i ekspertëve tanë. Prandaj, është edhe më e rëndësishme të veprohet në mënyrë parandaluese në mënyrë që të rritet stabiliteti aty ku është e nevojshme për ta realizuar atë në mënyrë që të rritet aftësia për të rezistuar në rajonet e rrezikuara dhe të jetë në gjendje të mbështesë përpjekjet e mbrojtjes kundër të gjitha kërcënimeve që vijnë nga jashtë. Duke vepruar kështu, ne mund të japim kontribut të madh në politikën tonë të përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes", tha ministrja austriake.
Në pyetjen e gazetarëve, ajo konfirmoi se në takimin e sotëm me Petrovskën kanë biseduar edhe për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht që vendi të vazhdojë me negociatat për anëtarësim në BE, duke theksuar se këto janë çështje që janë shumë të rëndësishme edhe për Vjenën, pasi ato janë të rëndësishme edhe për Shkupin.
"Ne biseduam rreth hapave të ardhshëm që mund të ndërmerren në këtë drejtim që Maqedonia të bëhet një anëtare e BE më shpejt," tha Tanner.
Ministrja Petrovska theksoi se vizita e Tanerit është edhe një dëshmi se Maqedonia e Veriut dhe Austria janë partnerë në përballimin e sfidave me të cilat përballet Evropa, por krahas sfidave të sigurisë, ne duhet të jemi pragmatikë, të shpejtë dhe të përkushtuar ndaj procesit të integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, meqë, siç shprehet ajo, sot të gjithë e kemi të qartë se integrimi evropian është edhe çështje e sigurisë me prioritet më të lartë.
“Rajoni ka nevojë për shpresë dhe sinjal – se nuk është i harruar dhe se ende paraqet prioritet për Bashkimin Evropian dhe këtë e shohim edhe në vizitën tuaj, veçanërisht duke marrë parasysh se Austria është partneri ynë i ngushtë dhe mbështetës në arritjen e këtij qëllimi. Të mos lejojmë që të krijohet vakum në të cilin vlerat evropiane do të zëvendësohen nga axhenda të tjera që kohët e fundit janë bërë veçanërisht të dukshme përmes kërcënimeve hibride, dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme, si dhe sulmeve kibernetike. Sulmet e këtilla nuk janë aspak naive, por kanë një qëllim më të lartë, e ky është bllokimi i bisedimeve me BE-në, minimi i besimit në BE-në, në NATO-n dhe në institucionet demokratike. Në këtë drejtim, vlerësojmë mbështetjen austriake në kuadër të "Formatit Krems", si platformë rajonale për bashkëpunim ndërmjet Austrisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha Petrovska.
Ajo, mes tjerash, theksoi se Maqedonia e Veriut kontribuon në mënyrë aktive në zhvillimin e stabilitetit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, veçanërisht duke marrë parasysh kulturën tonë të dialogut dhe aftësinë tonë për të arritur zgjidhje për çështje të vështira dypalëshe.
“Ne i përkasim Evropës dhe kjo është arsyeja pse ne jemi ambiciozë në përpjekjet tona të përbashkëta për të intensifikuar bashkëpunimin e mbrojtjes. Si anëtare e Aleancës, por edhe si vend që ka filluar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut shpreh mbështetje dhe ka ambicie për t 'u angazhuar në iniciativat e mbrojtjes së BE-së që janë komplementare me rolin e NATO-s", tha Petrovska.
Taner dhe Petrovska iu referuan edhe tre misioneve në të cilat marrin pjesë të dy vendet, si dhe projekteve të tjera të përbashkëta që duhet të mbështeten nga të dy vendet.
E pyetur nëse konsideron se Austria duhet të marrë pjesë në aktivitete me njësi që do të pastrojnë hapësirën në Ukrainë nga minat, Petrovska tha se qëndrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë qenë shumë të qarta që nga fillimi i kësaj krize.
“Përveç dënimit politik dhe mbështetjes politike që i dhamë Ukrainës – dënimit të Rusisë për këtë akt, Republika e Maqedonisë së Veriut ka vendosur deri më tani të marrë tetë vendime për dhurimin e pajisjeve ushtarake dhe armatimeve me të cilat menduam se do të kontribuonim në mbrojtjen e Ukrainës dhe jo për të mbështetur luftën, sepse Ukraina është shtet sovran që është sulmuar dhe ka të drejtë të mbrohet”, tha Petrovska.
Sipas saj, ndihma dhe mbështetja për Ukrainën është çështje e vendimit kombëtar, për të cilin, shprehet ajo, absolutisht ka mirëkuptim dhe e mbështet dhe konsideron se në procesin që do të pasojë më tutje, e që është rimëkëmbja e Ukrainës kur kjo luftë do të përfundojë, është e nevojshme që secili vend të marrë pjesë me ato kapacitete që ka në dispozicion dhe për të cilat konsideron se mund të kontribuohet.
"Në esencë, edhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve bazohet edhe në atë – të shkëmbejmë përvojat tona, kapacitetet tona dhe në fund të fundit të ndihmojmë së bashku për një qëllim të përbashkët. Stabilizimi ose përfundimi i luftës në Ukrainë është diçka që ne të gjithë e duam, për fat të keq nuk varet nga ne, por ne e dëshirojmë këtë dhe absolutisht do të kontribuojmë që kjo të ndodhë. Por deri atëherë, mbetemi të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën", tha ministrja Petrovska.
Ministrja austriake Taner do të realizojë sot pasdite takim edhe me presidentin Stevo Pendarovski.