• e premte, 22 nëntor 2024

Takim i presidentit Pendarovski me përfaqësues të Shoqatës së të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit “Dua të punoj”

Takim i presidentit Pendarovski me përfaqësues të Shoqatës së të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit “Dua të punoj”

Shkup, 3 prill 2023 (MIA) - Presidenti Stevo Pendarovski priti përfaqësuesit e Shoqatës së të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit "Dua të punoj".

Në takim, siç njoftuan nga kabineti i tij, është diskutuar për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, i cili me propozim të Ministrisë së Financave i është dorëzuar Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me flamur evropian.

Përfaqësuesit e Shoqatës së të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit “Dua të punoj” informuan për pasojat e miratimit të këtyre ndryshimeve të cilat sipas tyre do të shkaktojnë humbje të vendeve të punës për punonjësit në këtë sektor dhe do të kontribuojnë në implikime dramatike financiare. Ata shprehën gjithashtu pakënaqësi për vendimin që ndryshimet e propozuara të jenë me flamur evropian, që nënkupton se ato duhet të kryhen me një procedurë më të shpejtë dinamike dhe të shkurtuar, ndërsa theksuan se amendamentet e propozuara përmbajnë një sërë dispozitash që nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

Presidenti Pendarovski i dëgjoi argumentet e përfaqësuesve të Shoqatës së të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit “Dua të punoj” dhe tha se është i nevojshëm debati publik shoqëror në të cilin do të përfshihen të gjitha palët e interesuara për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme ligjore. Presidenti apeloi që ndryshimet e propozuara të kalojnë në një procedurë të rregullt në legjislativ në mënyrë që të ketë kohë për t'u përballur me të gjitha pikëpamjet dhe për të gjetur një zgjidhje sipas standardeve më të larta evropiane për organizimin e lojërave të fatit, e cila do të mbrojë interesin kombëtar dhe do të përfaqësojë një balancë ndërmjet palëve të interesuara. ls/

Foto: Kabinet i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut 

 

QËNDRONI TË LIDHUR