• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takimi i komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës

Takimi i komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës

Shkup, 5 qershor 2023 (MIA) - Kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës sot mbajtën takim në kuadër të vizitës së punës në Shkup të delegacioneve parlamentare të të dy vendeve fqinje. Takimi u kryesua nga kryetarët e tre trupave të punës, Arbër Ademi nga Komisioni për Çështje Evropiane në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Jorida Tabaku, e cila e kryeson Komisionin për Çështje Evropiane në Kuvendin e Shqipërisë, dhe Rezarta Krasniqi, e cila e kryeson Komisionin për Integrim Evropian në Kuvendin e Kosovës.

Nga shërbimi i shtypit parlamentar informojnë se deputetët e të tre vendeve shkëmbyen mendime për integrimin evropian të rajonit, varësisht nga fazat e atij procesi në të cilin ndodhet vendi i caktuar dhe sfidat me të cilat përballet, për nevojën e zbatimit të kritereve evropiane, si dhe për domosdoshmërinë për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e përvojave në rrugën drejt BE-së.

"Gjatë diskutimit u ngrit edhe iniciativa për t'i kthyer në traditë takimet e tilla, me synimin për koordinim të vazhdueshëm ndërmjet komisioneve për çështje evropiane, njëherazi edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar në përgjithësi", thuhet në njoftim. 

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit, Arbër Ademi, theksoi se marrëdhëniet e vendit tonë me Shqipërinë dhe Kosovën karakterizohen nga miqësia e thellë, pa çështje të hapura, mbështetja reciproke, respekti dhe dialogu i hapur, gjë që reflektohet edhe në bashkëpunimin ndërparlamentar, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në atë multilateral.

Ademi theksoi se që nga pavarësia në vitin 1991, vendi ynë është përballur me sfida në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE, por më e rëndësishmja është se vendi nuk e ka ndryshuar orientimin euroatlantik.

“Maqedonia e Veriut kaloi një proces vërtet të vështirë reformash të orientuar drejt BE-së dhe asnjë aspekt i vetëm i shoqërisë sonë nuk mbeti i pandryshuar. Të gjitha fushat kanë kaluar në një proces të përafrimit dhe harmonizimit tonë me legjislacionin evropian. Rreth 1,200 ligje janë miratuar këtu në Parlament, duke transponuar më shumë se 2,500 akte të BE-së në sistemin tonë juridik. Por, siç e dini, negociatat për klasterët do të fillonin pas ndryshimeve kushtetuese. Për momentin, kjo është detyra më e rëndësishme që Kuvendi duhet ta përmbushë dhe sinqerisht shpresoj që të gjithë deputetët, si të shumicës, ashtu edhe të opozitës nuk do ta vënë në pikëpyetje apo të bllokojnë të ardhmen evropiane të vendit tonë”, tha Ademi.

Kryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Shqipërisë theksoi se Maqedonia e Veriut u përball me shumë sfida dhe bëri lëshime si askush tjetër në Ballkan në procesin e integrimit euroatlantik.

"Megjithatë, sot jemi në një pozicion më të favorshëm dhe optimist në aspektin e integrimit, pavarësisht situatave me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut – për shkak të marrëdhënieve me Bullgarinë dhe Kosovën – duke marrë parasysh dialogun Beograd - Prishtinë", vlerësoi Tabaku. 

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian në Kuvendin e Kosovës theksoi se ky organ, në fakt, ka rol mbikëqyrës ndaj pushtetit ekzekutiv në vend, veçanërisht në fushën e harmonizimit të legjislacionit të BE-së.

"Ne, jemi të lumtur që BE-ja i hapi dyert Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ndërsa Kosova aplikoi për anëtarësim vitin e kaluar", tha Krasniqi. 

Në mesin e anëtarëve të Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e RMV-së, e para foli Bllagica Llasovska, Nënkryetarja e KÇE-së, Arta Bilalli Zendeli, si dhe Deputetja Snezhana Kalevska Vançeva dhe Gordana Siljanoska Davkov. qa/bsh/

 

QËNDRONI TË LIDHUR