• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takimi i ambasadorit Val me anëtarët e Delegacionit të Kuvendit në AP të OSBE-së

Takimi i ambasadorit Val me anëtarët e Delegacionit të Kuvendit në AP të OSBE-së

Shkup, 28 mars 2023 (MIA) - Ambasadori Kilian Val, shef i Misionit të OSBE-së në vend, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka zhvilluar takim me anëtarët e Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Në takim, siç informuan nga pres shërbimi i Kuvendit, krahas shprehurit e kënaqësisë reciproke për kryesimin e sivjetshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, u bisedua edhe për proceset reformuese në vend, në fushat që janë në fokus të interesit dhe kompetencave të Organizatës. Njëkohësisht, u bë fjalë për aktivitetet e planifikuara në nivel parlamentar të Delegacionit të Kuvendit në AP të OSBE-së në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh kryesimin e vendit me Organizatën, si dhe për reformat në fushën e legjislacionit zgjedhor, rregulloren parlamentare, politikat rinore, të drejtën penale dhe barazinë gjinore.

Deputeti Igor Janushev, si shef i Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, shprehu kënaqësinë e tij për takimin me ambasadorin e ri Kilian Val, duke shprehur pritjen se mbështetja do të vazhdojë, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet e rajonit.

Kurora e bashkëpunimit me OSBE-në, siç tha Janushev, është kryesimi ynë me Organizatën në vitin 2023, që padyshim paraqet angazhim shumë serioz, zbatimi i suksesshëm i të cilit është me interes të përbashkët. Ai theksoi se partneriteti ynë me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së është forcuar veçanërisht vitin e kaluar, në prag të marrjes së kryesimit dhe se Kuvendi ynë ka obligim të organizojë seancën e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, e cila do të mbahet më 30 nëntor 2023, ditë përpara mbledhjes së Këshillit Ministrave të OSBE-së.

Ambasadori Val, gjithashtu, theksoi se Kuvendi dhe Misioni i OSBE-së në vend në vazhdimësi kanë bashkëpunim të mirë dhe të frytshëm, duke theksuar se Organizata e vlerëson lart kontributin e Maqedonisë së Veriut. Ambasadori tha, gjithashtu, se vendi po përgatitet mirë për Këshillin e Ministrave në nëntor, duke theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të jetë krenare për kryesimin e OSBE-së.

Deputetja Monika Zajkova falënderoi bashkëpunimin me OSBE-në në fushën e politikave rinore, duke theksuar se është me rëndësi të madhe për mbajtjen e të rinjve në vend dhe për rritjen e besimit në proceset integruese në BE.

Deputeti Halil Snopçe ka folur për mundësitë për ndryshime në rregullativën zgjedhore. Ai vlerësoi se nevojitet koordinim më i madh ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kuvendit në fushën e aktiviteteve në kuadër të kryesimit të OSBE-së. bsh/

Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR