• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takime të Besimit me FMN-në: Politikat ekonomike janë të përcaktuara mirë, ekonomia po përmirëson perspektivat

Takime të Besimit me FMN-në: Politikat ekonomike janë të përcaktuara mirë, ekonomia po përmirëson perspektivat

Shkup, 12 tetor 2023 (MIA)- Politikat dhe masat ekonomike që praktikohen në vend krijojnë bazë solide për potencialin e rritjes dhe arritjen e normave më të larta të rritjes në periudhë afatmesëme. Ekonomia është rezistente, bazat makroekonomike janë të qëndrueshme, ndërkohë që pritshmëritë e FMN-së për rritjen këtë vit janë përmirësuar për 1.1 pikë përqindje në projeksionin e tetorit krahasuar me projeksionin paraprak të prillit. Rol të rëndësishëm do të kenë investimet, duke përfshirë edhe investimet kapitale, të cilat në Buxhet shënojnë rritje treshifrore krahasuar me vitin e kaluar. Inflacioni pritet të ulet, ndërsa kontribut japin masat antikrizë të qeverisë. Kjo u theksua në takimet e ministrit të Financave, Fatmir Besimi, me drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Paul Hilbers, drejtorin alternativ ekzekutiv, Luc Dresse, si dhe drejtorin e FMN-së për Evropën, Alfred Kamer. Në këtë takim mori pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.

“Politikat ekonomike që po i aplikojmë kanë marrë konfirmim nga institucionet financiare ndërkombëtare relevante dhe investitorët, ndërsa këtë e konfirmojnë edhe rezultatet që kemi arritur. Të hyrat në Buxhet janë për 12% më të larta se të hyrat e vitit të kaluar, shpenzimet dhe deficiti janë në kuadër të parashikimeve dhe mbahen në kursin e konsolidimit gradual fiskal. Shpenzimet kapitale shënuan rritje prej 142.2%. Borxhi publik mbahet në nivel sipas rregullave të vendosura në Ligjin e ri të Buxheteve dhe kriteret e Mastrihtit. Financimi i Buxhetit është i siguruar deri në fund të vitit”- tha ministri Besimi.

Ai shtoi se, politikat në Buxhet janë komplementare me politikat dhe masat e përfshira në Planin e qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike, në Planin e investimeve publike dhe në Planin e rritjes së përshpejtuar ekonomike. Ato orientohen drejt zbatimit të konsolidimit gradual fiskal, uljes së shpenzimeve joproduktive, rritjes së shpenzimeve kapitale dhe realizimit të investimeve kapitale, por edhe nxitjes së investimeve në sektorin privat me qëllim që të arrihen norma të dyfishta të rritjes ekonomike.

Mirënjohje për politikat e tilla, siç u shpreh ministri, kemi marrë vitin e kaluar me mundësinë për qasje në mjete, përmes Programit të kujdesit dhe likuiditetit të FMN-së.

Programi siguroi mjete të favorshme për zbatimin e politikave dhe rritjen e shpenzimeve që rezultuan nga kriza energjetike dhe ajo e çmimeve, si dhe ofron  bazë për mbajtjen e mëtejshme të politikave makroekonomike të qëndrueshme. Këtë e vërteton edhe përkrahja nga institucionet e tjera ndërkombëtare, si KE-ja, e cila siguron mjete për politika buxhetore, ndërsa priten mjete edhe nga Banka Botërore për politikat zhvillimore dhe mbështetje buxhetore nga Banka KFV.

Në takim u diskutua edhe për masat që po ndërmerren për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve. Vendi ka siguruar 225 milionë euro në buxhet për përballimin e krizës, si dhe mjete shtesë me rishpërndarjen në buxhetin që u miratua në Kuvend. Inflacioni është në rënie dhe ky trend pritet të vazhdojë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR