• e premte, 27 dhjetor 2024

Xhaferi-Xhaçka: Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë ndërtojnë raporte të shkëlqyera dypalëshe

Xhaferi-Xhaçka: Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë ndërtojnë raporte të shkëlqyera dypalëshe

Shkup, 27 mars 2023 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Olta Xhaçkën, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, në suazat e vizitës zyrtare të ministres në vendin tonë.

Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, me dialog politik produktiv dhe bashkëpunim në një numër të konsiderueshëm të fushave me interes të ndërsjellë. Ai theksoi se të dyja vendet ndajnë qëllime dhe interesa të përbashkëta në planin e jashtëm-politik në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Xhaferi foli për kryesimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe me Kartën e Adriatikut - A5, si edhe kryesimin e ardhshëm me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Duke pasur parasysh se Shqipëria kryesonte me OSBE-në në vitin 2020, ai vlerësoi se përvoja shqiptare mund të jetë në favor të madh për ne.

"Kryetari e nënvizoi rëndësinë e realizimit të projekteve infrastrukturore në të dyja vendet fqinje për këmbim më të madh të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Theksoi se ndërtimi i rrugëve, ndërlidhja energjetike dhe hekurudhore në kuadër të Korridorit 8 mbetet prioritet, a në rrjedhë janë përgatitjet për fillimin e ndërlidhjes me autostradë", kumtojnë nga Kuvendi.

Ministrja Olta Xhaçka vlerësoi se komunikimi konstruktiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë paraqet model të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet fqinjëve në rajon, a intensiteti i vizitave të ndërsjella të realizuara në të gjitha nivelet është një nga treguesit më të mirë për cilësinë e marrëdhënieve bilaterale. Të dyja vendet japin kontribut të konsiderueshëm ndaj perspektivës euroatlantike të rajonit dhe së bashku e zbatojnë me sukses procesin e skriningut me BE-në.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës ë Shqipërisë, vlerësoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është ndërlidhur jo vetëm me stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit por edhe me sigurinë e BE-së dhe kontinentit evropian. Në lidhje me kushtin për ndryshimin e Kushtetutës së vendit, Xhaçka theksoi se bëhet fjalë për proces politik për të cilin nevojitet vullnet i madh dhe sugjeroi se të gjithë faktorët politikë duhet ta kenë parasysh interesin e shtetit dhe qytetarëve.

Bashkëbiseduesit e nënvizuan përkushtimin e përbashkët të dyja vendeve për zhvillim gjithëpërfshirës të Ballkanit Perëndimor dhe i përshëndetën rezultatet e Samitit të fundit të Procesit të Berlinit në drejtim të progresit të arritur në lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendeve të rajonit, me njohje të ndërsjellë të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Me rëndësi të madhe janë edhe marrëveshjet e shumta të nënshkruara në suazat e Nismës Ballkani i Hapur kurse realizimi i obligimeve të ndërmarra me këto marrëveshje mbetet prioritet i përbashkët.

Xhaferi dhe Xhaçka këmbyen opinione edhe për gjendjen në rajon, në kontekst të agresionit rus mbi Ukrainën, si edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në Ohër.

Duke theksuar se këtë vit shënohen 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, bashkëbiseduesit shprehën bindjen se partneriteti shumëvjeçar ndërmjet dy shteteve dhe trendi pozitiv i zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në shumë sfera me interes të ndërsjelle do të avancohet edhe më tej. mb/

Foto: Kuvend

QËNDRONI TË LIDHUR