• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takim Siljanovska - Davkova - Radev në Baku: Kontestet dypalëshe të zgjidhen në kuadër të parimeve dhe vlerave të BE-së

Takim Siljanovska - Davkova - Radev në Baku: Kontestet dypalëshe të zgjidhen në kuadër të parimeve dhe vlerave të BE-së

Shkup, 13 nëntor 2024 (MIA) – Presidentja Gordana Siljanovska Davkova realizoi takim me presidentin bullgar Rumen Radev në margjinat e Konferencës për Ndryshime Klimatike – COP 29 në Baku, Azerbajxhan. Në bisedën të cilën, siç informojnë nga Kabineti i presidentes, ka zgjatur një orë dhe ishte zhvilluar në atmosferë konstruktive, ishte biseduar për nevojën e avancimit të marrëdhënieve maqedonase – bullgare, për tejkalimin e çështjeve të hapura mes të dy shteteve, si dhe për mundësitë për thellimin e dinamizmit të bashkëpunimit dypalësh në shumë sfera me interes të ndërsjellë. 

Dy bashkëbiseduesit i ekspozuan qëndrimet e tyre në kuptim të zgjidhjeve të mundshme për sfidat e integrimeve evropiane të Maqedonisë. 

Presidentja e nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut dypalësh politik në të gjitha nivelet dhe gjatë kësaj theksoi se duhet të respektohen qëndrimet dhe interesat e të dyja palëve dhe se zgjidhja e kontesteve dypalëshe duhet të jetë në kuadër të vlerave dhe parimeve themelore të Bashkimit Evropian. 

Siljanovska Davkova, siç theksojnë nga Kabineti, ka theksuar se marrëdhëniet duhet të zhvillohen në bazë të respektit të ndërsjellë, mbështetjes dhe bashkëpunimit aktiv që do të kontribuojë për forcimin e besimit dhe miqësisë mes dy popujve. 

Presidenti bullgar Radev, thuhet në kumtesë, ka folur për nevojën e zgjidhjes së shpejtë të çështjeve të hapura, si dhe për nevojën e vendosjes së marrëdhënieve të mira në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë për mirëkuptim më të lehtë mes vete. 

Dy bashkëbiseduesit në bisedë, bëhet e ditur në kumtesën e Kabinetit të presidentes, janë pajtuar për organizimin e vizitave zyrtare në të cilat do të konkretizohen angazhimet për bashkëpunim më të mirë gjithëpërfshirës mes të dy shteteve. fc/

Fotografia: Kabineti i Presidentes

 

QËNDRONI TË LIDHUR