• e mërkurë, 21 janar 2026

Takim Sali - Zomer: Temë eurointegrimet dhe zbatimi i reformave të lidhura me agjendën evropiane

Takim Sali - Zomer: Temë eurointegrimet dhe zbatimi i reformave të lidhura me agjendën evropiane

Shkup, 14 janar 2026 (MIA) - Ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, realizoi takim me ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kristof Zomer, ku
u diskutua për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe zbatimin e reformave të ndërlidhura me agjendën evropiane, si dhe për prioritetet e Ministrisë për Çështje Evropiane në periudhën në vijim.

Ministri Sali, siç informojnë nga kabineti i tij, theksoi se integrimi në BE dhe reformat e lidhura me këtë proces do të jenë në fokusin e tij, me qëllim forcimin e rolit koordinues të Ministrisë, avancimin e strukturave për negociata dhe operacionalizimin e mekanizmave për zbatimin e Agjendës së reformave dhe Planit të rritjes.

Bashkëbiseduesit u ndalën edhe te hapat për finalizimin e udhërrëfyesve në fushën e Sundimit të Ligjit, Reformës së Administratës Publike dhe Funksionimit të Institucioneve Demokratike, si dhe te rëndësia e përmirësimit të absorbimit të fondeve të BE-së dhe forcimit të strukturës IPA.

Ministri Sali, po ashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar bashkëpunimin bilateral dhe kontributin e programeve zvicerane në fusha si qeverisja demokratike, pjesëmarrja e qytetarëve, zhvillimi lokal dhe rajonal, barazia gjinore dhe menaxhimi i ujërave. Në këtë kontekst, u theksua se Programi i Bashkëpunimit Zviceran për Maqedoninë e Veriut 2025–2028 është i harmonizuar me proceset reformuese të Qeverisë dhe objektivat e integrimit evropian, me një vlerë prej rreth 56 milionë franga zvicerane.

Në takimin Sali dhe Zomer konfirmuan gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe koordinimin në mbështetje të reformave, forcimit institucional dhe avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. bsh/

Foto: Kabineti i ministrit të Çështjeve Evropiane

QËNDRONI TË LIDHUR