• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Takim për përgatitje të Kornizës së re për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm (2026-2030) mes Kombeve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut

Takim për përgatitje të Kornizës së re për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm (2026-2030) mes Kombeve të Bashkuara  dhe Maqedonisë së Veriut

Shkup, 15 nëntor 2024 (MIA) - Takim për përgatitje të Kornizës së re për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm (2026-2030) mes Kombeve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbia, në fjalimin hyrës tha se në takimin do të diskutohet për prioritetet kyçe deri vitin 2030, duke u përqëndruar, siç tha, në përshpejtimin e arritjes së Objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të KB-së dhe se epilogu nga diskutimi do të shërbejë si bazë për UNSDCF për periudhën 2026-2030, "duke e udhëhequr punën e agjencive të KB-së në Maqedoninë e Veriut gjatë asaj periudhe".

Ajo kumtoi se ekipi i KB-së në vend është nga fundi me përpunimin e Kornizës për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm, e cila, tha, i ndihmon Maqedonisë së Veriut të përparojë në prioritetet e veta kombëtare.

"Dhe derisa ekipi ka bërë arritje të rëndësishme në vend, nevojiten më shumë përpjekje që të përshpejtohet arritja e Qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm, të cilat janë në bazën e Strategjisë kombëtare për zhvillim dhe procesin e aderimit në Bashkimin Evropian...Familja e KB-së është këtu që t'ju dëgjojë dhe të diskutojë se si mundemi më së miri ta përkrahim vendin në arritjen e këtyre objektivave", tha Kolumbia.

Ajo shtoi se në takimin përfaqësojnë 14 agjenci të Kombeve të Bashkuara, të pranishme në vend, dhe edhe tetë të cilët kanë përfaqësim rajonal dhe mungojnë, "po ashtu e përkrahin Maqedoninë e Veriut në arritjen e objektivave të saj".

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski theksoi se "KB-ja me agjencitë e saj janë partneri i ynë i dëshmuar për dialog dhe përkrahës aktiv në numër të madh të strategjive dhe politikave sektoriale".

"Ne ndajmë një mision të përbashkët për përmirësimin e klimës së përgjithshme të shoqërisë, jetojmë me programe dhe projekte konkrete që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së popullatës dhe shoqërisë në tërësi. Në këtë drejtim është transparenca e jonë për bashkëpunim më të thelluar përmes dialogut për ministrat, zëvendësministrat resorë në Qeveri, të pranishëm këtu sot, me qëllim të konceptimit të një kornize strategjike që duhet të japë përgjigje për të gjitha sfidat e ndërlikuara, me të cilat përballemi. Korniza e re për bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm për 2026-2030 paraqet angazhim kolektiv ndaj Agjendës për zhvillim të qëndrueshëm, me qasjen tonë gjithëpërfshirëse, duke theksuar partneritetin e Qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat, për të realizuar me sukses prioritetet kombëtare dhe për të përshpejtuar progresin drejt Objektivave për zhvillim të qëndrueshëm, e me këtë edhe për të përmirësuar kushtet e jetesës së të gjithë qytetarëve tanë", tha Mickoski, duke theksuar se përfshirja është në thelb e Kornizës.

Përkujtoi se edhe muajin e kaluar është miratuar Strategji zhvillimore kombëtare për periudhën 2024-2044, e cila, siç tha, paraqet dokument gjithëpërfshirës për zhvillimin ekonomik, social, ekologjik dhe kulturor të vendit tonë në dy dekadat e ardhshme. Me këtë rast, ai theksoi se ekziston një “komplementaritet i domosdoshëm” mes Kornizës së re dhe Strategjisë zhvillimore kombëtare dhe se “vetëm përmes aktiviteteve të përbashkëta mund të krijojmë një të ardhme të qëndrueshme, të dobishme për të gjithë ne”. 

Nikoqiri i takimit, ministri Timço Mucunski, tha se Korniza përfshin objektiva qartë të definuara dhe masa për ndjekje të përparimit dhe se duhet të jetë plan i yni strategjik dhe i harmonizuar me Objektivat për zhvilim të qëndrueshëm të KB-së, të cilat, siç tha, janë të orientuara drejt sferave kyçe, siç janë varfëria, ndryshimet klimatike, sundimi i së drejtës, shëndetësia, arsimi, paqeja...    

"Por ajo që është shumë me rëndësi është se ofron qasje ndaj njerëzve, e thekson përfshirjen, duke u përqëndruar në margjinalizimin dhe bashkësitë e prekura, duke siguruar se askush nuk do të lihet anash. Kjo Kornizë paraqet mundësi që të bëjmë hap të rëndësishëm drejt plotësimit të Qëllimeve globale për zhvillim të qëndrueshëm, në të njëjtën kohë duke krijuar model, i cili i shpreh nevojat specifike të shoqërisë sonë. Për ne, zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton ndërtimin e një shoqërie, në të cilën të gjithë do të kenë mundësi të barabarta për përparim, pavarësisht nga statusi socio-ekonomik, përkatësia etnike apo vendbanimi", theksoi Mucunski në fjalimin hyrës në takimin e mbajtur sot në MPJTJ. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR