• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takim Mitreski- Dreksler: Mbështetje e vazhdueshme dhe e palëkundur gjermane në rrugën drejt BE-së

Takim Mitreski- Dreksler: Mbështetje e vazhdueshme dhe e palëkundur gjermane në rrugën drejt BE-së

Shkup, 21 shkurt 2024 (MIA)- Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, sot realizoi takim me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler. Në takim morën pjesë edhe Dominik Keberling, shef i Departamentit të Kulturës dhe Bursave në Ambasadën Gjermane dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të RMV-së, Cvetanka Ivanova.

Duke e uruar për zgjedhjen në këtë funksion, ambasadorja Dreksler e përsëriti mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Republikës Federale të Gjermanisë për vendin tonë, përfshirë edhe Bundestagun Gjerman në rrugën drejt BE-së. Në veçanti, u përshëndet bashkëpunimi i intensifikuar parlamentar në të gjitha nivelet dhe shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës ndërmjet deputetëve dhe shërbimeve nga të dy parlamentet. Në takim u shpreh interesi për detyrimet e mbetura të Kuvendit deri në përfundimin e këtij mandati parlamentar.

Kryetari Mitreski falënderoi për urimet, duke shprehur edhe një herë mirënjohje të veçantë për shtetin dhe popullin gjerman për rezolutën e miratuar në Bundestag, me të cilën respektohet veçantia e popullit, gjuhës dhe kulturës maqedonase. Në ditën e gjuhës amtare, 21 shkurt, ky akt përfaqëson për ne një tjetër konfirmim të pranimit të diversiteteve dhe veçantisë së çdo populli, që nuk duhet mohuar as në Evropë dhe as në botë.

Në aspektin e bashkëpunimit parlamentar, kryetari Mitreski e veçoi bashkëpunimin për sigurim të pavarur policor me Bundestagun dhe praktikat që ekspertët gjermanë i ndajnë me ne për të përfunduar këtë proces. Ai është me rëndësi nga shumë aspekte, por veçohet për konceptin e ndarjes së plotë të Kuvendit si pushtet legjislativ, duke përfshirë në nivelin e administratës së pavarur dhe në nivelin e pavarësisë financiare.

Takimi i sotëm u shfrytëzua edhe për njohjen e bursisteve të përzgjedhura të ISP-së për këtë vit, Stefanija Jovçeska dhe Hristina Stefanovska, të cilat nga 1 marsi do të punojnë për deputetët gjermanë në Bundestag. Iniciativa e shtetit gjerman për ekzistimin e bursës së tillë në përgjithësi u përshëndet nga të pranishmit, si dhe programi për qëndrim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili zbatohet që nga viti 2009 për këta të rinj. U konfirmuan përvojat e mëparshme pozitive të bursisteve të mëparshme dhe mundësia që para nisjes për në Berlin, të njihen drejtpërdrejt me mënyrën e punës dhe funksionimin e Kuvendit.

Sekretarja e Përgjithshme Ivanova, duke u uruar suksese në qëndrimin e tyre në Gjermani, theksoi se bursistet janë ambasadorët tanë në Bundestag dhe gjatë stazhit të tyre do të jenë një tjetër urë lidhëse mes dy parlamenteve. Kënaqësi e veçantë u shpreh për interesimin e bursisteve për t'u kthyer në atdhe dhe për të vazhduar punën në institucionet dhe në Kuvend dhe me njohuritë e tyre të marra të kontribuojnë në avancimin e proceseve reformuese në vend.

IPS-ja është aktivitet tradicional i Bundestagut Gjerman, i cili, bashkë me Universitetin Teknik, Universitetin e Lirë dhe Universitetin Humbolt të Berlinit, u jep mundësinë të rinjve me arsim të mbaruar universitar nga 50 vende të ndryshme të njohin sistemin parlamentar të Gjermanisë. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, projekti zbatohet që nga viti 2001, dhe përfundimisht me programin për vitin 2023, deri më tani kanë marrë pjesë 51 bursistë nga vendi. Stazhi i tyre përfshin punën për deputetin gjerman në Bundestagun e Republikës Federale të Gjermanisë, në periudhën nga 1 marsi deri më 31 korrik. Duke filluar nga viti 2009 e tutje, para se të nisen për në Berlin, kandidatet e përzgjedhura kanë mundësinë të praktikojnë dhe të njihen me punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjë që e bën Kuvendin një nga parlamentet e pakta që u ofron mundësinë e tillë bursisteve të përzgjedhura.

Foto: Kuvendi

 

QËNDRONI TË LIDHUR