• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Takim Misajllovski - Barduani: Vazhdojmë me kontributin për KFOR-in, i cili forcon sigurinë rajonale

Takim Misajllovski - Barduani: Vazhdojmë me kontributin për KFOR-in, i cili forcon sigurinë rajonale

Shkup, 20 dhjetor 2024 (MIA) - Armata e Maqedonisë do të vazhdojë kontributin e saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, sepse kështu forcohet siguria dhe stabiliteti në rajon. Kjo është jashtëzakonisht domethënëse në këtë periudhë të jostabilitetit dhe sigurisë së trazuar globale, tha ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski në takimin e sotëm me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enriko Barduani.

Misajllovski, siç informojnë nga Ministria e Mbrojtjes, është shprehur i kënaqur që të gjitha kontingjentet e Maqedonisë që ishin pjesë e KFOR-it kanë bashkëpunim të shkëlqyer me komandën, si dhe me pjesëtarët e shteteve tjera pjesëtarët e të cilëve janë pjesë e këtij misioni.

"Bashkarisht kontribuojmë në ruajtjen e sigurisë së Kosovës, por gjithashtu çdo ditë mësojmë për njëri-tjetrin, zhvillojmë ndërveprueshmërinë dhe tregojmë se aleatët duan që Ballkani të mbetet paqësor, stabil dhe i sigurt", shtoi ministri.

Misajllovski iu referua edhe kontributit të Maqedonisë në mbrojtjen kolektieve të NATO-s - pjesëmarrjen në forcat shumëkombëshe të Aleancës në Rumani, Bullgari dhe Letoni, si dhe kontributin në operacionin e BE-së ALTEA në BeH dhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Liban, UNIFIL. 

 

Gjenerali Barduani në takim u falënderua për kontributin e vendit tonë në kuadër të misionit KFOR, i cili, tham është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, daton nga viti 1999 në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Aktualisht, në këtë mision në të cilin marrin pjesë 29 kombe, marrin pjesë edhe 70 pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë. Shtesë, me hapjen e Qendrës koordinuese për mbështetje nga vendi-nikoqir në vitin 2005, vendi ynë siguron edhe mbështetje të vazhdueshme logjistike të këtij misioni të NATO-s. ls/

Foto: MB

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR