• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takim me Bankën Botërore: Banka Popullore kontribuon në ruajtjen e shëndetit të sektorit financiar përmes politikës së saj makroprudenciale

Takim me Bankën Botërore: Banka Popullore kontribuon në ruajtjen e shëndetit të sektorit financiar përmes politikës së saj makroprudenciale

Shkup, 14 tetor 2023 (MIA) - Edhe krahas sfidave nga shtrëngimi i kushteve financiare dhe zhvillimet globale, sistemi bankar ka ruajtur qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e tij, ku kanë kontribuar edhe politikat makroprudenciale të ndërmarra nga banka qendrore. Kjo u theksua në takimet e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe zëvendësguvernatores, Ana Mitreska, me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, nënkryetaren Antonella Basani, drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor Shaoçing Ju dhe drejtorin ekzekutiv Kun Davidse.

"Banka Botërore ka vlerësuar pozitivisht politikat e Bankës Popullore për ruajtjen e stabilitetit financiar, dhe në të njëjtën kohë ofron asistencë teknike përmes disa projekteve për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të vendit dhe bankës qendrore, përmes përmirësimit të kuadrit makroprudencial, menaxhimit të ndryshimeve klimatike dhe kuadrit nënligjor për zgjidhjen e bankave", njoftoi sot BP.

Pas miratimit të Ligjit për Rezolutën e Bankës nga Kuvendi, Banka Popullore është në proces të hartimit të akteve nënligjore, me mbështetjen e Departamentit Këshillimor Financiar të Bankës Botërore. Në fushën e financave të gjelbra, Banka Botërore ka ndihmuar Bankën Popullore në përgatitjen e planit trevjeçar të miratuar së fundmi të aktiviteteve të Bankës Popullore në fushën e menaxhimit të rrezikut nga ndryshimet klimatike, ndërsa Banka Popullore në periudhën në vijim do t'i përkushtohen përshtatjes së qasjes mbikëqyrëse, duke zhvilluar një metodologji për stres-testimin e bankave nga aspekti i rreziqeve klimatike dhe duke kryer analiza të thelluara të këtyre rreziqeve në sektorin bankar.

Nga këndvështrimi i politikës makroprudenciale, me miratimin e Ligjit për Stabilitetin Financiar vitin e kaluar, në vendin tonë u krijua një kornizë institucionale për politikën makroprudenciale dhe u rregullua ligjërisht roli i Komitetit të Stabilitetit Financiar, i cili përfshin të gjithë rregullatorët financiarë. Banka Botërore i ofroi ndihmë teknike Bankës Popullore në procesin e zhvillimit të Strategjisë për zbatimin e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për forcimin e kornizës për monitorimin e rreziqeve sistemike. Nëpërmjet forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve, forcohet edhe elasticiteti i sistemit financiar, si bazë për stabilitetin makroekonomik. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR