Takim i zëvendëskryeministrit Fetai me ambasadorin belg, Pol Lambert
- Zëvendës kryetari i Qeverisë, i angazhuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, mirëpriti ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës pranë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me seli në Sofje, Pol Lambert.
- Post By Besnik Shuki
- 16:19, 16 dhjetor, 2024
Shkup, 16 dhjetor 2024 (MIA) - Zëvendës kryetari i Qeverisë, i angazhuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, mirëpriti ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës pranë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me seli në Sofje, Pol Lambert.
Gjatë takimit, siç thuhet në kumtesën e Kabinetit të Fetait, u diskutua për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e kushtit të fundit që pengon fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri Fetai e informoi ambasadorin Lambert për prioritetet e tij, të fokusuara në luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës në punën e institucioneve shtetërore, dhe procesin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin civil si një partner kyç për zbatimin e reformave dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Takimi shërbeu si një mundësi për shkëmbim mendimesh dhe idesh mbi thellimin e bashkëpunimit midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Belgjikës, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian, si dhe në fushat ekonomike, akademike dhe politike.
Zëvendëskryeministri Fetai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Belgjikës dhe theksoi se marrë parasysh lidhjet e tij të ngushta me Belgjikën, me kënaqësi do të luajë rolin e një ure lidhëse midis dy vendeve. bsh/
Foto: Kabineti i zëvendës kryeministrit Arben Fetai