• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takim i Xhaferit me Grupin e Miqësisë nga Kuvendi i Kosovës

Takim i Xhaferit me Grupin e Miqësisë nga Kuvendi i Kosovës

Shkup, 7 qershor 2023 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Delegacionin e Grupit të Miqësisë Kosovë-Maqedonia e Veriut, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje Ganimete Musliu, kryetare dhe Vlora Dumoshi, anëtare e Grupit të Miqësisë. Në takim ishte i pranishëm edhe Afrim Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Xhaferi, siç kumtoi pres shërbimi i Kuvendit, theksoi se kjo vizitë paraqet edhe një konfirmim të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, në nivel të kryetarëve të parlamenteve, komisioneve dhe grupeve të bashkëpunimit dhe miqësisë. Ai vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, janë të shkëlqyera, pa çështje të hapura, a provë për këtë janë takimet e shumta ndërmjet përfaqësuesve të lartë të dy shteteve.  

Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësi që në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri dhe në Kosovë tani më u fuqizuan tre marrëveshjet e nënshkruara gjatë Samitit të fundit të Procesit të Berlinit për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale. Këto marrëveshje, sipas Xhaferit, paraqesin hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet e përbashkëta për tu mundësuar qytetarëve liri në lëvizje dhe integrim, në pajtim me praktikat e vlerave dhe praktikave më të mira të BE-së. 

Në lidhje me gjendjen në veri të Kosovës, Kryetari Xhaferi theksoi se i mbështesim të gjitha përpjekjet për de-përshkallëzimin e tensioneve, që duhet të arrihet përmes dialogut dhe komunikimit, sidomos me partnerët strategjikë. 

Kryetarja e Grupit të Miqësisë Kosovë-Maqedonia e Veriut, Ganimete Musliu, falënderoi për mbështetjen e përgjithshme që Republika e Maqedonisë së Veriut ia ofron Republikës së Kosovës për të gjitha çështjet me rëndësi. Ajo shprehu shpresë se edhe në të ardhme do të vazhdojë mbështetja jonë parimore për integrimet euroatlantike dhe për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, sidomos në forumet ndërkombëtare ku Kosova nuk është e pranishme. Musliu theksoi se deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa dallim në orientimin e tyre politik angazhohen për paqe dhe de-përshkallëzim të gjendjes në pjesën veriore të shtetit, duke e marrë parasysh se tensionet nuk janë në dobi të qytetarëve.  

Grupet Parlamentare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit në të dy kuvendet, sipas Musliut, mund të kontribuojnë për shfrytëzimin maksimal të mundësive për lehtësimin e komunikimit të ndërsjellë dhe në këtë drejtim propozoi organizim të konferencës në të cilën do të diskutohet për ide dhe projekte konkrete në këtë plan.  

Gjatë takimit u bë fjalë edhe për mundësitë për përmirësimin e ndërlidhjes infrastrukturore të kapaciteteve të kalimeve kufitare me vendosjen e konceptit të kontrolleve të përbashkëta si edhe të avancimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit. Bashkëbiseduesit folën edhe për bashkëpunimin ekonomik, duke theksuar se duhet të bëhen përpjekje të zvogëlohet jobarazia në këmbimin tregtar, e cila është me suficit nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut.   

Në fund të takimit, u shpreh shpresa se kjo vizitë do të kontribuojnë në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral të frytshëm, konstruktiv dhe frekuent ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR