• e shtunë, 23 nëntor 2024

Takim i presidentes Siljanovska - Davkova me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Takim i presidentes Siljanovska - Davkova me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Shkup, 8 tetor 2024 (MIA) – Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska – Davkova sot ka realizuar takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tivat të Malit të Zi, ku marrin pjesë në takimin e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo – Brioni.

Kabineti i Siljanovska Davkova informoi se në takim ishte shprehur kënaqësia nga dialogu vijues politik mes të dy vendeve, si dhe nga përfshirja dypalëshe në nisma të ndryshme rajonale dhe shumëpalëshe “që ndihmon në arritjen e qëllimit të përbashkët – fuqizimin e lidhjeve rajonale, ndërtimin e së ardhmes me prioritet për qytetarët dhe avancimin e vizionit për rajon të lidhur mes vete”. 

“Presidentja Siljanovska – Davkova i dërgoi urime presidentit shqiptar për hapjen me sukses të Klasterit 1 në bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë në BE dhe vlerësoi se kjo është arritje e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin dhe se progresi i arritur nga çdo vend kandidat nga Ballkani Perëndimor ndikon pozitivisht në dinamikën e përbashkët rajonale”, bëhet e ditur në kumtesë. 

Në këtë kontekst, presidentja Siljanovska Davkova ka theksuar se "mbetemi të përkushtuar fuqishëm në rrugën tonë drejt BE-së dhe vazhdojmë t’i zbatojmë reformat e nevojshme, njëkohësisht duke punuar me partnerët tanë të BE-së në sigurimin e marrëveshjes së qëndrueshme dhe të parashikueshme me qëllim të lëvizjes së procesit përpara". 

"Bashkëbiseduesit theksuan edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të NATO-s, ku të dyja vendet rregullisht koordinohen dhe veprojnë së bashku për çështje me interes të përbashkët, ndërsa theksuan se partneriteti në NATO është një aspekt kyç i sigurisë së përbashkët", bën të ditur Kabineti presidencial për takimin e Siljanovska-Davkova dhe Begaj në Tivat, ku diskutuan edhe për të drejtat e pakicave në të dy vendet. fc/

Fotografia: Kabineti i Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR