• e shtunë, 23 nëntor 2024

Takim i parë rajonal i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore të Rrjetit parlamentar UNITE për shëndetin global

Takim i parë rajonal i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore të Rrjetit parlamentar UNITE për shëndetin global

Shkup, 19 maj 2023 (MIA)- Zëvendëskryetari i Komisionit për Shëndetësi të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bedri Fazli, mori pjesë në mbledhjen e parë rajonale të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore të Rrjetit Parlamentar UNITE për Shëndetin Global. Mbledhja rajonale u mbajt nga 15 deri më 17 maj 2023 në Tbilisi, Gjeorgji, njofton Pres shërbimi i Kuvendit.

Në mbledhje u shkëmbyen mendimet lidhur me promovimin dhe ndarjen e përvojave të parlamenteve të rajonit dhe ndërtimin e bashkëpunimit të fuqishëm në fushën e forcimit të sistemeve shëndetësore dhe financimit të qëndrueshëm të sistemeve shëndetësore. Njëkohësisht, vështrim i veçantë u dha në pjesën e: të drejtave të njeriut dhe qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore, forcimit të sistemeve shëndetësore dhe arkitekturës dhe sigurisë globale shëndetësore.

Siç theksohet në kumtesë, pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë kryesore në rajon dhe gjetjen e strategjive për t'u përballur me to, deputetëve të rajonit iu prezantuan mundësitë për t'u angazhuar në nivel global (mbledhjet e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe Kuvendit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ofrimi i mbështetjes teknike për të ndihmuar deputetët në përfaqësimin dhe shndërrimin e shkencës në politika publike të bazuara në prova në nivel nacional, prezantimi dhe marrëveshja për plan pune për rajonin për vitet 2023 – 2024 dhe më tej.

Në kuadër të programit u organizua vizita në Qendrën për Shëndetin Mendor dhe Parandalimin e Varësive si dhe Qendrën për Sëmundjet Infektive, HIV-AIDS dhe Kërkimet Klinike Imunologjike, ku u diskutuan politikat aktuale dhe lufta kundër drogës, si dhe roli kryesor i deputetëve në promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit mendor, luftën me pandeminë dhe mbrojtjen nga pandemitë e ardhshme.

Në fund të mbledhjes, pjesëmarrësit nënshkruan marrëveshje për prioritetet në shëndetësi, forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit shëndetësor parlamentar global, si dhe përcaktimin e fokusit dhe qëllimeve që duhen arritur për forcimin e sistemeve shëndetësore si dhe qëndrueshmërinë e tyre dhe financimin stabil.

Në mbledhje, përveç përfaqësuesit të Kuvendit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e parlamenteve nacionale të Armenisë, Kirgistanit, Moldavisë, Serbisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, si dhe përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe përfaqësuesit e sektorit joqeveritar.

Foto: Kuvendi

 

QËNDRONI TË LIDHUR