• e premte, 27 dhjetor 2024

Takim i ministrit Murtezani me ambasadorin shqiptar Mejdani

Takim i ministrit Murtezani me ambasadorin shqiptar Mejdani

Shkup, 2 tetor 2024 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, realizoi takim me Ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Mejdani, në të cilin u shqyrtuan çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë integrimin evropian, bashkëpunimin bilateral, Planin e Rritjes së KE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e IPA projekteve për të dyja vendet, informojnë nga kabineti i ministrit.

Ministri Murtezani theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë partnerë dhe aleatë jashtëzakonisht të afërt me qëllime strategjike të përbashkëta, në kontekstin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

"Vendimi i BE-së për ndarjen e procesit të aderimit të të dyja vendeve ishte objekt i një diskutimi të thelluar, ku Murtezani nënvizoi se pavarësisht ndarjes, të dyja shtetet mbeten të përkushtuara fuqishëm ndaj bashkëpunimit në proceset reformuese dhe shkëmbimit të përvojave, që janë thelbësore për përmbushjen e standardeve evropiane", thuhet në kumtesën e Ministrisë për Çështje Evropiane.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se euro integrimet nuk janë vetëm prioritet nacional, por edhe nevojë rajonale për stabilitet dhe zhvillim.

Në lidhje me projektet e IPA-s, Murtezani dhe Mejdani riafirmuan angazhimet për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta në kuadër të Instrumentit të Ndihmës Para-Aderuese. U theksua se projektet e mbështetura nga IPA janë mekanizëm kyç për përforcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në fusha të tilla si sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe reformat në administratë.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë për koordinim edhe më të ngushtë në drejtim të implementimit më efikas të këtyre projekteve me qëllim të integrimit më të madh të Ballkanit Perëndimor në hapësirën ekonomike dhe politike evropiane. sa/

foto: Ministria për Çështje Evropiane 

QËNDRONI TË LIDHUR