• e enjte, 26 dhjetor 2024

Takim i kryeparlamentarit Gashi me Rusllan Stefançuk, kryetar i Radës Supreme të Ukrainës

Takim i kryeparlamentarit Gashi me Rusllan Stefançuk, kryetar i Radës Supreme të Ukrainës

Shkup, 10 korrik 2024 (MIA) - Në margjinat e Samitit parlamentar në Uashington, u realizua takim i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi me kryetarin e Radës Supreme të Ukrainës, Rusllan Stefançuk, me nismën e tij, informon sot shërbimi për shtyp i Kuvendit.

Stefançuk falënderoi Maqedoninë e Veriut për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe për të gjitha iniciativat e Ukrainës, për bashkëngjitjen tonë në sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë, si dhe për mbështetjen e "Formulës së Paqes" të propozuar nga Presidenti i Ukrainës.

Ai theksoi se popujt e Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të afërt, kanë histori të ngjashme dhe ndajnë qëllime të përbashkëta për anëtarësimin në BE.

"Duke iu referuar agresionit ushtarak rus në përmasa të mëdha në territorin e Ukrainës, kryetari Stefançuk e informoi Delegacionin, ku bën pjesë edhe zëvendësshefi i Delegacionit të Kuvendit në AP-në e NATO-s, Mile Talevski, për sulmin brutal të Rusisë në Spitalin e Fëmijëve në Kiev, duke rezultuar në 29 viktima civile dhe një numri të madh fëmijësh të plagosur dhe personeli mjekësor. Ai i bëri thirrje këtij Samiti Parlamentar që të shprehë mbështetjen e fortë nga kryetarët e parlamenteve për ndihmë të mëtejshme ushtarake për Ukrainën dhe për anëtarësimin e saj në NATO. Theksoi se do të iniciojë projekt të përbashkët në nivel të parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s për rindërtimin e vendit. Stefançuk e ftoi Kryetarin Gashi të vizitojë Ukrainën, si dhe shprehu pritjen për pjesëmarrjen e tij në Samitin e Tretë të Platformës së Krimesë, i cili këtë vit do të organizohet bashkërisht me Republikën e Letonisë", thuhet në kumtesën e shërbimit për shtyp të Kuvendit. 

Kryetari Gashi shprehu ngushëllimet e tij për viktimat në Spitalin e Fëmijëve dhe përcolli mbështetjen e vendosur dhe të palëkundur të vendit tonë për Ukrainën në të gjitha fushat dhe theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, populli dhe institucionet e saj më të larta shtetërore e dënuan ashpër agresionin rus kundër Ukrainës që nga fillimi i konfliktit ushtarak. Njëherazi, vendi iu bashkëngjit plotësisht të gjitha masave kufizuese dhe sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, bashkë-sponsoroi rezoluta dhe iniciativa të shumta në lidhje me Ukrainën dhe dërgoi ndihma ushtarake dhe humanitare në vend.

Kryetari Gashi iu referua aktiviteteve të shumta të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbështetjen e Ukrainës, duke filluar me miratimin e "Deklaratës për dënimin e sulmeve ushtarake që e rrezikojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës" dhe manifestime të tjera të shumta. 

Kryetari Gashi e ftoi kolegun e tij Stefançuk, nëse është e mundur në këto rrethana të jashtëzakonshme, të vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të dy kryetarët shprehën besimin se bashkëpunimi ndërparlamentar do të vazhdojë me dinamikën e vendosur dhe dialogun politik aktiv, bashkëpunimin produktiv në nivel të kryetarëve dhe grupeve ndërparlamentare të miqësisë, me tendencë për të pasuruar më tej bashkëpunimin e përgjithshëm.  sa/

foto: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR