• e martë, 24 dhjetor 2024

Takim i Gashit me ambasadorin francez Le Rigoler

Takim i Gashit me ambasadorin francez Le Rigoler

Shkup, 23 dhjetor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot është takuar me Kristof Le Rigoler, ambasador i Republikës së Francës në vendin tonë. Në takim, siç njoftojnë nga pres-shërbimi i Kuvendit ka marrë pjesë edhe Zhaklina Pop Angellova, shefe e Kabinetit të ambasadorit.

"Takimi u mbajt fillimisht për t'i shqyrtuar mundësitë dhe modalitetet për bashkëpunim të ardhshëm me institucionet franceze, pas vizitës së punës së Delegacionit të Kuvendit të kryesuar nga Kryetari Gashi në Paris", thuhet në komunikatë.

Është shprehur falenderim i veçantë ambasadorit për ngritjen në nivel më të lartë të bashkëpunimit bilateral me përfaqësuesit relevantë të Republikës së Francës, si dhe gatishmërinë nga ana jonë për të vazhduar këtë dialog të vendosur edhe në periudhën në vijim, për tema me interes të përbashkët.

Kryetari Gashi i theksoi përshtypjet pozitive nga takimet e zhvilluara në Paris dhe gatishmërinë e politikanëve francezë për të mbështetur procesin tonë të integrimit evropian.

Ambasadori Rigoler theksoi se iniciativa për të vizituar Parisin dhe për të realizuar kontakte personale me kolegët francezë dhe përfaqësuesit e shtetit është me rëndësi të veçantë, duke qenë se ajo ndihmon në krijimin e dinamikës bilaterale të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Bashkëbiseduesit ranë dakord për nevojën e konkretizimit të fushave për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave në të gjitha nivelet parlamentare, duke përfshirë edhe Grupet e Bashkëpunimit dhe Miqësisë dhe për përdorimin e ekspertizës së ofruar nga Kuvendi Kombëtar dhe Senati i Republikës së Francës për punën parlamentare. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, u tha se duhen përpjekje të përbashkëta për të rritur numrin e investimeve franceze në vend dhe për të rritur tregtinë midis dy vendeve, të cilat për momentin nuk janë në nivelin e dëshiruar. mb/

Foto: Kuvendi i RMV

QËNDRONI TË LIDHUR