Takim Dimitrovski - Blinken: Mbështetje nga SHBA për zhbllokimin e rrugës evropiane
- Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Dimitrovski sot në margjinat e Këshillit ministror të OSBE-së në Maltë realizoi takim të shkurtër me Sekretarin amerikan të shtetit, Entoni Blinken.
- Post By Fami Bajrami
- 20:42, 5 dhjetor, 2024
Shkup, 5 dhjetor 2024 (MIA) - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Dimitrovski sot në margjinat e Këshillit ministror të OSBE-së në Maltë realizoi takim të shkurtër me Sekretarin amerikan të shtetit, Entoni Blinken.
Dimitrovski në profilin e tij në Fejsbuk ka falënderuar Uashingtonin për mbështetjen për integrimet evropiane të vendit dhe shprehu besimin se me ndihmën e SHBA-së e cila është partneri ynë strategjik, në dialogun me Sofjen do të tejkalohen pengesat për integrimin tonë evropian dhe do të mundësohet integrim i shpejtë në Bashkimin Evropian.
"Sekretari amerikan i shtetit, Blinken theksoi partneritetin tonë në NATO, falënderoi për rolin që ka Maqedonia si partner aktiv në Aleancë dhe premtoi se pasardhësit të tij nga administrata e re do t'i përcjellë mesazhet për vazhdimin e mbështetjes për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë në BE, si dhe paqen dhe stabilitetin e rajonit", thekson Dimitrovski në postimin në Fejsbuk.
Dimitrovski në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së në vitin 2023 dhe anëtar i Trojkës së OSBE-së, kryesoi me seancën e dytë të Këshillit ministror në Maltë ku morën pjesë shefat e diplomacisë dhe përfaqësues të lartë të 57 vendeve pjesëmarrëse dhe 11 partnerëve për bashkëpunim aziatik dhe mesdhetar.
Në paraqitjen para ministrave, ai dënoi agresionin rus kundër Ukrainës dhe iu bashkua thirrjeve që Federata ruse të tërheq forcat e saj dhe t'i japë fund luftës dhe vuajtjeve të popullsisë.
"Kjo luftë duhet të ndalet. Qytetarët e guximshëm dhe rezistues të Ukrainës meritojnë paqe dinjitoze dhe drejtësia duhet të mbisundojë. Pas përfundimit të agresionit, OSBE-ja do të mund ta realizojë plotësisht misionin e saj për thellimin e dialogut, ndërtimin e mirëbesimit dhe promovimin e sigurisë gjithëpërfshirëse dhe të pandashme", ka thënë Dimitrovski.
Ai theksoi rolin dhe kontributin konkret të vendit tonë si ish kryesuese për funksionalitetin e OSBE-së dhe relevancën e saj.
Në kuadër të pjesëmarrjes së sotme, Dimitrovski foli edhe në panelin kushtuar 20 vjetorit të miratimit të Planit aksionar për barazi gjinore të OSBE-së, ku theksoi përkushtimin në zbatimin konsekuent të politikave dhe proceseve për mundësimin e barazisë gjinore në mbarë rajonin e OSBE-së.
Foto: FB Dimitrovski