• e shtunë, 23 nëntor 2024

Takim Besimi-Ju në kuadër të konferencës së SEFF-it: Diskutimet janë të rëndësishme për krijimin e politikave, me përkrahjen e institucioneve financiare ndërkombëtare

Takim Besimi-Ju në kuadër të konferencës së SEFF-it: Diskutimet janë të rëndësishme për krijimin e politikave, me përkrahjen e institucioneve financiare ndërkombëtare

Shkup, 14 shtator 2023 (MIA) - Ministri i Financave, Fatmir Besimi sot u takua me drejtoreshën rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Shiaoqin Ju, e cila me ftesë të ministrit Besimi është një nga folëset në konferencën vjetore të Forumit ekonomik dhe financiar të Shkupit (SEFF), të cilën Ministria e Financave e organizon për të tretin vit radhazi.

“SEFF-i si nismë e Ministrisë së Financave ofron mundësi për t’u bashkuar dhe për të debatuar ndërmjet politikëbërësve, përfaqësuesve të politikës, partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit, përfaqësuesve të shoqërisë civile, opinionit akademik, sektorit të biznesit dhe ekspertëve të tjerë, me qëllim që të ofrohen ide dhe nisma, të cilat për ne si institucion kanë një kontribut të rëndësishën në krijimin e masave dhe politikave të orientuara drejt rikuperimit ekonomik dhe rritjes inkluzive, të përshpejtuar dhe të gjelbër”, tha Besimi, i cili falënderoi drejtoreshën rajonale për ftesën e pranuar për të marrë pjesë në diskutimin në këtë konferencë.

Ai potencoi se Grupacioni i Bankës Botërore është partneri kryesor i vendit në krijimin dhe zbatimin e reformave dhe projekteve të cilat me përkrahjen e Bankës Botërore po realizohen përmes Kornizës së përcaktuar të partneritetit. Projektet synojnë përmirësimin e infrastrukturës komunale, ndërtimin e rrugëve, modernizimin e sektorit të bujqësisë, përmirësimin e efikasitetit energjetik, si dhe reformat në sferën sociale dhe arsimin fillor.

Në këtë takim, u bisedua edhe për Kornizën e re të partneritetit, që është në fazën përfundimtare dhe pritet që të aprovohet në fund të këtij viti. Programi i ri fokusohet në periudhën 2024-2028, me qëllim të përforcimit të kapitalit njerëzor, mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe reagimit ndaj ndryshimeve klimatike.

Ministri, siç informuan nga Ministria e Financave, theksoi aktivitetet që Ministria e Financave i ndërmerr sa i përket ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe menaxhimit prudent të financave publike, konsolidimit fiskal dhe zbatimit të rregullave të përcaktuara me Ligjin e ri të Buxheteve.

Konferenca e SEFF-it me temë “Evropa PO, Evropa TANI”, do të mbahet nesër në Shkup. Drejtoresha Rajonale për Ballkanin Perëndimor, Shiaoqin Ju, do të mbajë fjalim në panel kushtuar integrimeve evropiane dhe rajonale, së bashku me zëvendës kryeministrat: Bojan Mariçiq  dhe Sllavica Gërkovska, ministrin e Financave, Fatmir Besimi, zëvendësshefin e Delegacionit të BE-së në vend, Ben Nupnau, Eric Meyer nga ambasada e SHBA-së në vend, si dhe me kryetarin e Komisionit Parlamentar të Financimit dhe Buxhetit, Bojan Stojanovski. Konferencën do ta hapë kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri Besimi dhe eurokomisioneri i Buxhetit dhe Administratës, Johanes Hanh, që është edhe folësi kryesor i kësaj konference. bsh/

Foto: Ministria e Financave

QËNDRONI TË LIDHUR