• e enjte, 26 dhjetor 2024

Të punësuarit në Postën e Maqedonisë protestojnë për shkak të mospagesës në kohë të pagave

Të punësuarit në Postën e Maqedonisë protestojnë për shkak të mospagesës në kohë të pagave

Shkup, 18 mars 2024 (MIA) - Të punësuarit në Postën e Maqedonisë sot e kanë shprehur revoltën e tyre për shkak të mospagesës në kohë të pagave për muajin shkurt. Kryetari i sindikatës së Postës së Maqedonisë, Boro Veligdenov, theksoi se protesta e punëtorëve është shprehje e shqetësimit për mbijetesën e Postës së Maqedonisë, si dhe ruajtjen e vendeve të tyre të punës.

Përveç faktit se 80 për qind e punonjësve të Postës së Maqedonisë fitojnë pagë minimale mesatare, thotë Veligdenov, punëdhënësi nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për të paguar pagat brenda afatit të caktuar me ligj. Për shkak të gjendjes së keqe financiare të Postës së Maqedonisë, Veligdenov theksoi se punëtorët frikësohen se në periudhën e ardhshme nuk do të ketë pagesë të rregullta të rrogave.

"Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë financiare të kompanisë, revolta e punonjësve është edhe më e madhe për shkak të frikës se në periudhën e ardhshme nuk do të ketë pagesa të rregullta të pagave. Kjo krizë financiare është rezultat i organizimit të keq të punës në Postën e Maqedonisë për shkak të politikës dhe menaxhimit të personelit që është bërë me vite në Postën e Maqedonisë me rishpërndarjen dhe punësimin joproduktiv, gjë që ka sjellë në gjendje të mungesës së punëtorëve në procesin teknologjik, ku më së shumti kishin nevojë për punëtorë, ndërsa këto janë transportuesit e postës, mungesa e punonjësve të sportelit, mungesa e punëtorëve në procesin teknologjik. Si rezultat i këtyre politikave, kemi vende të plota pune në administratë dhe pozicione drejtuese", theksoi Veligdenov.

 

Situata në Postën e Maqedonisë po i demotivon punëtorët, prandaj Veligdenov thotë se kompania po përballet me largim të punëtorëve me kërkesë të saj.

"Organizatat sindikale të Postës së Maqedonisë me vite paralajmërojnë Qeverinë dhe udhëheqësinë për kaosin dhe gjendjen në të cilën është futur Posta e Maqedonisë, me kërkesa për reformim dhe riorganizim të menjëhershëm të kompanisë. Por, për fat të keq, nga ana e tyre nuk ka vesh dhe mirëkuptim për stabilizimin dhe pozicionimin e Postës së Maqedonisë në tregun postar si shërbim kryesor për të gjithë qytetarët dhe institucionet në Maqedoni", tha Veligdenov.

Kërkesat e tyre janë hartimi i një sistematizim të ri, marrëveshje e re kolektive, riorganizim i zonave postare, modernizimi teknologjik, si dhe ndryshimet në Ligjin për shërbimet postare.

"I bëjmë thirrje Qeverisë e cila është themeluese dhe pronare e Postës së Maqedonisë, së bashku me menaxhmentin menjëherë dhe pa shtyrje të angazhohen për sigurimin e mjeteve financiare për pagesat e rregullta, si dhe marrjen e masave urgjente për riorganizimin dhe reformimin e funksionimit të Postës së Maqedonisë e cila do të çonte në stabilizimin dhe mbijetesën e kompanisë", tha Veligdenov.

Nëse nuk plotësohen kërkesat, Veligdenov thotë se protesta do të vazhdojë, ndërsa organizatat sindikale të Postës së Maqedonisë do të fillojnë procedurën për grevë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR