Të paktën 20 viktima gjatë përplasjes në pikën e shpërndarjes së ndihmave në Gazë
- Njëzet persona kanë humbur jetën këtë mëngjes gjatë përplasjes në një pikë të shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, njoftoi Fondacioni humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja.
- Post By Fami Bajrami
- 11:22, 16 korrik, 2025
Tel Aviv, 16 korrik 2025 (MIA) – Njëzet persona kanë humbur jetën këtë mëngjes gjatë përplasjes në një pikë të shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, njoftoi Fondacioni humanitar i Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Fondacioni privat kumtoi se 19 nga viktimat u shkelën për vdekje, ndërsa një person u godit me thikë për vdekje.
"Kemi arsye të besueshme për të besuar se elemente në turmë, të armatosur dhe të lidhur me Hamasin, nxitën qëllimisht trazirat", tha GHF, duke shtuar se incidenti ndodhi në një qendër të shpërndarjes në qytetin jugor të Kan Junisit.
Personeli i GHF-së pretendon se ka vërejt armë zjarri në turmën ku një punonjës amerikan është kërcënuar me armë nga një person në turmë.
DPA thekson se raporti i fondacionit nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, ndërsa organizata islamiste palestineze Hamas nuk ka komentuar deri më tani.
GHF e cila filloi punën në fund të majit me mbështetjen e Izraelit dhe SHBA-së, momentalisht po mbikëqyr shpërndarjen e ushqimit në Rripin e Gazës pas kufizimeve disamujore izraelite në shpërndarjen e ndihmave. Megjithatë, fondacioni është kritikuar ashpër nga KB-ja dhe organizatat humanitare të cilat pretendojnë se ka shumë pak pika shpërndarje, duke krijuar kushte kaotike që i ekspozojnë civilët ndaj rrezikut serioz.
Në javët e fundit, incidente fatale janë raportuar vazhdimisht pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave. Edhe pse ushtria izraelite shpesh akuzohet për hapjen e zjarrit në raste të tilla, incidenti i fundit nuk lidhet me veprime ushtarake. Sipas KB-së, qindra njerëz kanë vdekur në ose pranë qendrave të shpërndarjes të drejtuara nga GHF që kur fondacioni filloi të funksionojë.