• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Sunak: Islamistët dhe të djathtët ekstremë po minojnë demokracinë tonë

Sunak: Islamistët dhe të djathtët ekstremë po minojnë demokracinë tonë

Londër, 2 mars 2024 (MIA) - Ekstremistët islamikë dhe të djathtët po minojnë qëllimisht demokracinë multietnike të Britanisë së Madhe, tha mbrëmë kryeministri Rishi Sunak, duke bërë thirrje për një përgjigje më të fortë kundër gjuhës së urrejtjes dhe krimit.

Deputetët britanikë morën mjete shtesë për sigurinë e tyre këtë javë pas disa kërcënimeve që morën për mbështetjen e tyre për operacionin e Izraelit në Rripin e Gazës.

"Kam frikë se arritja jonë e madhe për ndërtimin e demokracisë më të suksesshme multietnike dhe shumë-fetare në botë është duke u minuar qëllimisht," tha Sunak në një fjalim jashtë zyrës së tij në Dauning Strit, duke shtuar se kishte pasur një "rritje tronditëse të shkeljeve ekstremiste dhe krimit".

Kryeministri britanik shtoi se njerëzit kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë mbrojtjen e civilëve në Gaza, por se ata nuk duhet ta përdorin atë për të shprehur mbështetje për Hamasin. Ai ka bërë të ditur se dëshiron që policia jo vetëm t’i "menaxhojë këto protesta", por edhe t’i monitorojë, transmeton Hina.

"Ekstremistët islamikë dhe e djathta ekstreme ushqehen dhe inkurajojnë njëri-tjetrin", shtoi ai, duke sqaruar se ata janë dy anët e "të njëjtës medalje ekstremiste".

Sunak paralajmëroi të gjithë njerëzit që erdhën në vend me vizë se ata mund të deportohen nëse vendosin të "përhapin urrejtje". sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR