• e shtunë, 23 nëntor 2024

Stoltenberg për vizitë dyditore në Shkup

Stoltenberg për vizitë dyditore në Shkup

Shkup, 21 nëntor 2023 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot pasdite mbërrin për vizitë dyditore në Shkup, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.  

Vizitën zyrtare, siç është paralajmëruar, Stoltenbergu do ta fillojë në Qeveri, të pasuar me konferencë të përbashkët për shtyp me nikoqirin e tij, kryeministrin Dimitar Kovaçevski.  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pasdite do të mbajë fjalim edhe para deputetëve në Kuvend, në kuadër të seancës së 132-të, pas së cilës do të pritet nga presidenti Stevo Pendarovski në kabinetin e tij. 

Të mërkurën në Shkup do të mbahet takimi jozyrtar i liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni. 

 

Stoltenbergu dhe Kovaçevski, siç është paralajmëruar, do t'i presin liderët e ftuar nga Republika e Shqipërisë - kryeministrin Edi Rama, Republika e Kroacisë - presidentin Zoran Milanoviq, Republika e Malit të Zi - kryeministrin Milojko Spajiq dhe Republika e Sllovenisë - kryeministrin Robert Golob.

 Turneun e tij nëpër rajon Stoltenbergu  e nisi nga Bosnja e Hercegovina të dielën, pas së cilës vizitoi Kosovën. Sot Stoltenberg qëndron në Serbi, prej nga pasdite do të mbërrijë në Shkup, si fazë e fundit e turneut të tij nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga MPB-ja informojnë se sot dhe nesër për shkak të ardhjes së një numri të madh të delegacioneve të huaja, do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit në zonën më të gjerë të qytetit të Shkupit. Për këtë, Sektori për Punë të Brendshme Shkup u bën apel qytetarëve që t'i respektojnë urdhrat që i japin nëpunësit e policisë në rrugë. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR