• e enjte, 26 dhjetor 2024

Stoltenberg: Në takimin e nesërm do të bisedojmë për Ballkanin Perëndimor dhe çështjet e sigurisë

Stoltenberg: Në takimin e nesërm do të bisedojmë për Ballkanin Perëndimor dhe çështjet e sigurisë

Shkup, 21 nëntor 2023 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg informoi se në takimin e nesërm joformal të liderëve të aletëve të NATO-s i cili do të mbahet në Shkup, do të bisedojnë për Ballkanin Perëndimor dhe për çështjet e sigurisë në kontekst më të gjerë, siç është agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës dhe aktivitetet në rajon. Stoltenberg potencoi se Ballkani Perëndimor është esencial për sigurinë në Evropë.

Në takimin joformal, kryeministri Dimitar Kovaçevski nesër do t'i presë liderët e ftuar nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Stoltenberg, i cili është për vizitë zyrtare në vendin tonë, në fjalimin e tij në Kuvend sot porositi se pikërisht ky takim e reflekton rëndësinë të cilën ia japin Maqedonisë së Veriut si anëtare e NATO-s.

"Gjatë ditëve të fundit kam vizituar Ballkanin Perëndimor. Kam vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën, ndërsa nesër do të takohem me liderët e aleatëve tanë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut. Pikërisht ky takim pasqyron rëndësinë që i kushtojmë Maqedonisë së Veriut si anëtare e NATO-s. Ju tregoni me shembull se si njerëzit me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare mund të jetojnë së bashku dhe të ndërtojnë një shtet", tha Stoltenberg.

Sipas Stoltebergut, Maqedonia e Veriut është dëshmi se me punë të përkushtuar, reforma dhe përkushtim në vlerat dhe idealet e bashkësisë transatlantike siç janë liria, demokracia dhe sundimi i drejtësisë, gjithnjë është i mundshëm progresi. 

Ai potencoi se anëtarësimi në BE edhe më shumë do ta fuqizojë demokracinë, sundimin e drejtësisë dhe drejtësisë sociale, ndërsa do t'i rrisë mundësitë për të gjithë qytetarët, veçanërisht për të rinjtë. 

"Ju inkurajoj që të punoni vazhdimisht, ashtu siç keni punuar për anëtarësimin në NATO, dhe të përfundoni udhëtimin tuaj drejtë zemrës së familjes evropiane. Anëtarësimi në NATO do të përcaktojë anëtarësimin tuaj në BE, siç ishte rasti me vendet para jush. Anëtarësimi në NATO është i mirë për Maqedoninë e Veriut, por është gjithashtu i mirë për NATO-n. Forcat tuaja të armatosura kontribuojnë në mënyrë aktive për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare", shtoi Stoltenberg.

Ai përkujtoi se Maqedonia e Veriut menjëherë e dënoi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe i ofroi ndihmë të konsiderueshme ushtarake Ukrainës. 

"Çdo ditë në selinë e NATO-s uleni si anëtare e barabartë me të gjithë aleatët. Ju jeni anëtar i rëndësishëm por edhe i besueshëm i bashkësisë transatlantike. Kur u shkatërrua Jugosllavia me rënien e komunizmit, shteti juaj ishte i vetmi i cili e fitoi pavarësinë, pa u derdhur asnjë pikë gjak. Kjo është arritje e madhe dhe është shembull për të tjerët", tha Stoltenberg.

Siç theksoi, Maqedonia e Veriut është shembull për shoqëri të suksesshme multietnike. Siç nënvizoi, Maqedonia e Veriut ia dëshmon rajonit, por edhe më gjerë, se është e mundur që dallimet të jetojnë bashkë në paqe dhe se ka alternativa reale dhe të vërteta si përgjigje ndaj dhunës. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR