• e martë, 24 dhjetor 2024

Stojanovski: Nafta po dërgohet në stacionet bazë të NQP-së, pritet që nesër në mëngjes të ketë normalizim të transportit me autobusë në Shkup

Stojanovski: Nafta po dërgohet në stacionet bazë të NQP-së, pritet që nesër në mëngjes të ketë normalizim të transportit me autobusë në Shkup

Shkup, 21 nëntor 2024 (MIA) - Nafta nga rezervat shtetërore është në rrugë për në stacionet bazë të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik (NQP) dhe pritet që nesër në mëngjes të normalizohet transporti me autobusët në Shkup, paralajmëroi sot para mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Martin Stojanovski.

"Sipas informacioneve tona, aktualisht është duke u dërguar naftë në bazat në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov", tha Stojanovski. Nëse nafta arrin sonte, ndërsa sipas informacioneve tona tashmë është duke u dorëzuar, atëherë nga nesër duhet të ketë transport normal me autobusë.

Stojanovski vlerëson se Qeveria sot ka bërë një veprim të shkëlqyeshëm me atë që ka aktivizuar pjesë të rezervave shtetërore të naftës për nevojat e Qytetit të Shkupit duke e zgjidhur problemin me transportin me autobusë në një afat prej shtatë ditësh.

"Gjithçka që duhet të bëjë Qyteti i Shkupit brenda këtyre shtatë ditëve është të bëjë një procedurë të furnizimit publik për derivatet në Byronë për furnizime publike. Sigurisht që Byroja do ta miratonte këtë nëse çdo gjë është në rregull që të mos ketë ndonjë problem si që është paraqitur këto ditë", tha Stojanovski.

Lidhur me transportuesit privatë që ofrojnë 200 autobusë për t'u përfshirë në qarkullim nëse rritet çmimi për kilometër, këshilltari nga VMRO-DPMNE tha se një seancë e tillë nuk është në rend dite sot dhe se propozimi i tyre duhet të shqyrtohet për të parë se cilat janë pasojat dhe çfarë buxheti është i nevojshëm. Për këtë, shtoi ai, nevojitet shumicë e të gjithë këshilltarëve.

Lidhur me atë nëse do të tejkalohet kriza me transportin e autobusëve në Shkup, ai thotë se kjo varet nga menaxhmenti i Qytetit të Shkupit pasi të kenë kaluar këto shtatë ditë.

"Gjithçka varet nga menaxhmenti. Ne si Këshill jemi këtu vetëm për të votuar vendime. Menaxhimin e kryen kryesisht drejtori i NQP-së dhe kryetarja e qytetit të Shkupit, Arsovska", tha ai.

Stojanovski theksoi se si grup i këshilltarëve kanë votuar të gjitha programet e deritanishme për Qytetin e Shkupit, përfshirë edhe atë për NQP Shkup.

"Këtë vit kemi ndarë 645 milionë denarë, apo rreth 10 milionë euro subvencione për NQP-në. Edhe në vitet e kaluara janë ndarë një sasi e madhe e subvencioneve që do të thotë se ne si grup këshilltarësh sigurisht kemi votuar për çdo gjë që është pozitive për NQP Shkup, por edhe për ndërmarrjet tjera", tha ai.

Lidhur me protestat e paralajmëruara për nesër, ai vlerëson se kjo është një e drejtë demokratike.

Këshilltarja e LSDM-së në Qytetin e Shkupit, Lubica Jançeva ka thënë se pret që në seancë të arrihet konsensus dhe të miratohen konkluzione të përbashkëta mbi gjendjen aktuale në Qytetin e Shkupit.

"Disa nga propozimet që nuk janë të përfshira në kërkesë i publikuam sot në një konferencë për media. Këto janë tre propozime. Ne do të kërkojmë që Këshilli njëzëri të miratojë konkluzion ku kërkojmë që nga rezervat shtetërore për naftë të miratohet subvencionim nga Qeveria e RMV-së që do t'i ndahet Qytetit të Shkupit për të tejkaluar gjendjen kaotike në NQP Shkup dhe kjo nuk është hera e parë. Do të kërkojmë të miratojmë një konkluzë konsensuale për ndryshimet në ligjin për financimin e NjPL-ve, njësive që i kanë themeluar. Pra, as kjo nuk është asgjë e re", tha Jançeva.

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR